Qëndrimi i Gjermanisë ndaj Rusisë mbetet i pandryshuar, pavarësisht synimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të rikthyer Moskën në grupin e shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7). Ministri gjerman i Financave, Joerg Kukies, deklaroi se një hap i tillë nuk do të marrë mbështetje unanime, duke nënvizuar qëndrimin e prerë të G7-ës në dënimin e luftës ruse në Ukrainë.
Deklarata e Kukies vjen në prag të samitit të financave të G20-s në Kejp Taun, ku ai do të marrë pjesë si përfaqësues i Gjermanisë. Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, nuk do të jetë i pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera. Tema kryesore e takimit pritet të jetë situata ekonomike globale dhe hapat për rimëkëmbje.
“Jemi në një pikë kyçe ku duhet të rikthehemi në rrugën e zhvillimit ekonomik. Gjermania, në këtë drejtim, ka shumë punë për të bërë,” theksoi Kukies.
Ai u emërua ministër i Financave nga kancelari në largim, Olaf Scholz, në nëntor, pas rënies së qeverisë së tij me votë mosbesimi. Kukies do të qëndrojë në këtë detyrë deri në formimin e kabinetit të ri, pas fitores së konservatorëve të Friedrich Merzit në zgjedhjet e fundit.