Gjenerali amerikan Wesley Clark do të dëshmojë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën e Hagës. Mbrojtja e Thaçit ka bërë të ditur se dëshmia e Clark pritet të fillojë më 19 nëntor, pas marrjes së miratimit nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Sipas dokumenteve zyrtare, miratimi vjen në kuadër të Urdhrit të Trupit Gjykues të 2 shtatorit 2025 dhe autorizon deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit të fundit të mbrojtjes, identifikuar si 1DW-007.
“Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues të 2 shtatorit 2025, mbrojtja e z. Hashim Thaçi njofton se është marrë miratimi nga qeveria e Shteteve të Bashkuara (“Ofruesi i Rregullit 107”), që autorizon deklaratën2 dhe dëshminë e dëshmitarit të saj të fundit, 1DW-007, Gjeneral Wesley Clark”.
Gjenerali Clark ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 kundër caqeve ushtarake serbe, një operacion që zgjati 11 javë dhe kishte për qëllim të ndalonte krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.
