Screenshot 2026 02 07 114951 696x329 (1)

Policia e Shtetit publikoi sot një bilanc të punës së kryer gjatë muajit janar. Policia njoftoi se gjatë muajit janar u finalizuan 107 operacione policore dhe u vunë në pranga 498 autorë të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

Sipas policisë, 17 operacione janë finalizuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për goditjen e rrjeteve globale të trafiqeve, kapjen e pjesëtarëve të grupeve/organizatave kriminale, si dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Disa prej këtyre shtetasve kishin falsifikuar identitetin për t’iu fshehur drejtësisë;

Gjithashtu policia bëri të ditur se janë sekuestruar rreth 186 kg kanabis, rreth 3 kg kokainë, sasi ekstazie, sasi heroine, 3855 bimë/fidanë kanabisi, 2528 fara kanabisi, si dhe mijëra pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Sipas policisë janë sekuestruar gjithashtu edhe “41 armë zjarri, 21 armë gjahu dhe sportive, 2 granata dhe municion luftarak; 7 automjete të trafikuara, dhjetëra ora luksoze, 3 pajisje GPS, dhe maska; 183 000 euro të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar, ilaçe të skaduara dhe produkte të kontrabanduara (veshmbathje, si dhe produkte estetike dhe elektronike); rreth 20 milionë lekë, 2 sipërfaqe toke në Dhërmi, 3 shoqëri tregtare, 2 automjete dhe llogari bankare, asete të veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve, mashtrimit kompjuterik dhe prostitucionit”.

Policia nënvizoi se “janë zbuluar 13 ambiente të mbyllura në Lezhë, Malësi të Madhe, Vau i Dejës, Shkodër, Vlorë, Sarandë dhe Tiranë, ku kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave; 5 ambiente ku luheshin lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri; 3 ambiente në qarkun Tiranë, ku magazinoheshin veshje të kontrabanduara dhe/ose stampoheshin me logo false të markave ndërkombëtare; kazino dhe bilardo ku shiteshin lëndë narkotike, në Lezhë dhe në Mat; banesë dhe lokal në Fier, ku babë e bir mbanin arsenal armësh zjarri dhe armë shpërthyese, sasi të madhe municioni dhe mbi 17 kg lëndë narkotike; grupe kriminale në Tiranë, që shitnin  dhe trafikonin armë dhe drogë të fortë (kokainë)”.

Gjithashtu sipas policisë janë parandaluar ngjarje kriminale që mund të kryheshin në Durrës dhe në Tiranë nga 3 shtetas që lëviznin të armatosur; përshkallëzimi i 3 konflikteve me armë zjarri dhe mjete prerëse, në Vlorë, Velipojë dhe Gramsh; ngjarje kriminale me armë zjarri, në një familje në Tepelenë; 11 tentativa për të kaluar kufijtë me para të padeklaruara, me burime të dyshimta; trafikimi nga Gjirokastra në Greqi i 44 pakove me 34 kg kanabis; trafikimi në Itali i një arme zjarri, nëpërmjet PKK Rinas.

Policia njoftoi më tej se janë zbardhur vrasje me eksploziv, me armë zjarri ose me send të fortë (çekiç), në Shkodër, Dibër dhe Tiranë, si dhe 4 plagosje dhe 1 aksident me pasojë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë 2 fushata sensibilizuese për të mbrojtur qytetarët nga platforma false për pagesën e masave administrative (gjobave) dhe për marrjen e kredive, që synonin të merrnin dhe të keqpërdornin të dhënat personale dhe të ardhurat në kartat bankare. Hetimet për këto raste janë në vijim.

Më tej, sipas policisë janë finalizuar 21 operacione për parandalimin/zbardhjen e vjedhjeve;  17 goditje në fushën e kontrabandës; 11 operacione kundër ushtrimit të prostitucionit; 8 goditje kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit; 3 operacione kundër transportimit të emigrantëve që synojnë të shkojnë ilegalisht në shtetet e BE-së.

Gjithashtu, 3 departamente të Policisë së Shtetit kontribut në megaoperacionin “Liberterra III”, që goditi 1800 rrjete në mbarë botën, të implikuara në këtë veprimtari kriminale dhe në forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore.

Për shkak të motit të keq, me reshje dëbore dhe shiu, shërbimet e Policisë qëndruan në gatishmëri në të gjithë vendin, duke iu shkuar në ndihmë qytetarëve për orientim dhe, në disa raste, për evakuimin e tyre.

Shërbimet e Policisë Rrugore, krahas shërbimit të përforcuar gjatë ditëve me mot të keq, të pajisura me mjete bashkëkohore, vijuan monitorimin në të gjitha akset e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe menaxhimin e trafikut.

“Gjatë muajit janar u vunë në pranga 197 drejtues mjetesh, nga të cilët 135 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 62 për drejtim mjeti pa leje drejtimi; u pezulluan 216 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë; u vunë 93 011 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, nga të cilat 3 934 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e masës administrative maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit. Policia Rrugore e Durrësit goditi 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë nga drejtues që drejtonin automjetet në gjendje të dehur”, njoftoi policia.

Në pikat e kalimit kufitar, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe analizave të riskut, shërbimet e Policisë Kufitare evidentuan dhe goditën gjatë muajit janar: 45 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 18 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false, 8 raste të trafiqeve dhe 2 raste të vjedhjeve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights