Në gusht të vitit 2022, në ishullin italian Pantelleria, një zjarr i fuqishëm shpërtheu papritur duke rrethuar shtëpinë verore të stilistit të njohur Giorgio Armani.
Mjaftuan vetëm pak minuta, që flakët të pushtonin shtëpinë. Roja i sigurisë u detyrua të hyjë me shpejtësi në shtëpi, për të lajmëruar stilistin dhe miqtë e tij që të largoheshin menjëherë. Të gjithë u drejtuan me ngut drejt makinave. Të gjithë, përveç vetë Armanit…

Ai u zhduk për pak çaste, duke shkaktuar ankth tek të pranishmit, por u rishfaq i qetë, me një buzëqeshje të lehtë dhe një unazë në gisht. “E gjeta,” u tha ai. “Unaza që Leo ma dhuroi për ditëlindje.” Ishte një dhuratë personale nga Leo Dell’Orco, bashkëpunëtori dhe partneri i tij i ngushtë prej më shumë se 30 vitesh. Përveç unazës, ai kishte marrë me vete edhe fotografitë e Sergio Galeottit, bashkëthemelues i markës “Armani” dhe një nga figurat më të rëndësishme të jetës së tij.
Ky është Giorgio Armani i panjohur për publikun, i ndjeshëm, i kujdesshëm, i lidhur thellë me njerëzit e tij. Një njeri që i jep përparësi ndjenjave përpara gjithçkaje tjetër. Në karrierë është njohur për rregull dhe koherencë, por në jetë ai mbeti një njeri i përkushtuar, i mbushur me mirënjohje e ndjenja të forta.

Përkrah tij kanë qenë gjithmonë njerëzit më të afërt: Leo, Sergio, motra e tij Rosanna, me të cilën ka ndarë vite pune dhe suksesesh, dhe dy mbesat, Silvana dhe Roberta. Silvana, që nisi karrierën si asistente, por që me kohën u bë krahu i djathtë i xhaxhait për koleksionet për gra, duke punuar krah për krah për më shumë se katër dekada. Roberta, më e reja e kompanisë legjendare, drejton zyrën e marrëdhënieve me figurat publike, një ndër zyrat më të rëndësishme të markës.

Në rrethin e ngushtë janë edhe Andrea Camerana, djali i Rosannës, një menaxher i përkushtuar dhe gjithmonë i lidhur me mbesat përmes një grupi WhatsApp të dedikuar për “xhaxhain kërkues”, Paul Lucchesi, asistenti i tij prej dekadash, gjithmonë i pranishëm, diskret e mbrojtës, si dhe miqtë e jetës, Daniela Morera dhe Fabio Belotti, të cilët nuk mungojnë asnjëherë në pushimet verore me “mbretin” Giorgio.
Një figurë e veçantë në këtë mozaik është edhe Anoushka Borghesi, drejtuese e komunikimit, që Armani e sheh thuajse si vajzën e tij, gjithmonë pranë në punë dhe në udhëtime.

Në qendër të të gjitha këtyre marrëdhënieve mbetet Leo Dell’Orco, jo vetëm drejtues i koleksioneve për meshkuj, por edhe njeriu më i rëndësishëm në jetën personale të stilistit. Edhe pse Armani nuk e ka shpallur kurrë publikisht marrëdhënien me të, respekti, afërsia dhe roli që ai luan në jetën e stilistit nuk kanë nevojë për fjalë.
Gjestet flasin më shumë…unaza në Pantelleria dhe dalja e përbashkët në pasarelë me Leo dhe Silvanën, si një shenjë falënderimi për punën dhe përkushtimin e tyre.

Nuk mund të lihet jashtë as figura e Sergio Galeottit. Edhe pse Armani kurrë nuk e ka cilësuar si “partner”, lidhja e tyre ka qenë e thellë dhe e pazëvendësueshme. Sergio ishte njeriu i parë që njohu gjeniun e Armanit dhe e bindi të krijonte markën që më pas do të bëhej simbol i elegancës italiane.
Që nga viti i vdekjes së tij, 1985, çdo 14 gusht dita kur ai ndërroi jetë për stilistin është një ditë zie dhe reflektimi. Ferragosto nuk është festuar më kurrë.

Historia e Giorgio Armanit nuk është vetëm ajo e një ikone të modës, por e një njeriu që ka ditur ta ndërtojë suksesin e tij mbi dashurinë, përkushtimin dhe ndjenjat e vërteta. Dhe në mes të një zjarri kërcënues, në vend që të shpëtonte sendet me vlerë materiale, ai zgjodhi të shpëtonte kujtimet – një unazë dhe disa fotografi. Sepse aty ndodhej jeta e tij e vërtetë.