Gezim

Ndërrimi viteve: Arritje, probleme, dështime, zhgënjime dhe pritshmëri…

Gëzim TUSHI sociolog

Mjeshtër i MADH
Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut

Gjithmonë, çdo vit ka qenë traditë për të bërë një bilanc të problemeve të vitit që kalon dhe ballafaqimi me projektet, synimet, dëshirat dhe pritmëritë për vitin pasardhës. Jo si veprim rutinor, utopik e burokratik, por si synim për një jetë më të plotë, të realizuar dhe me sa më pak probleme personale e telashe sociale. Viti që sapo kaloi për shqiptarët, shoqërinë në tërësi dhe qytetarët e saj, nuk ka qënë i njëtrajtshëm, vetëm i suksesshëm dhe i pashoqëruar me probleme të natyrave të ndryshme. Të përgjithshme dhe parciale, të thella dhe ekzistenciale për jetën shoqërore, të diversifikuara për familjet shqiptare. Disa me natyrë politike e sociale, të tjerat ekonomike, komunitare e personale. Pa qenë nihilist për rezymenë e vitit 2025, nuk do ishte normale që të mos e shikojmë pjesën e realizuar, arritjet në fusha të ndryshme të jetës, të cilat janë objekt krenarie për këdo institucion, strukturë sociale, ent ekonomik, arsimor, kulturor, shkencor, akademik që bën bilancin dhe ka patur tregues pozitiv. Qoftë në jetën institucionale, familjare e personale.

Nga ana tjetër, nuk mund të mohojmë apo të bëjmë sikur nuk i shikojmë apo akoma më keq e harrojmë, që viti që kaloi ka patur probleme, kontradikta, vështirësi, anomaly, javashllëk, korrupsion evident, cilësi jo të kënaqshme në shërbimet sociale, arsimore e shëndetësore, që kanë sjellë nivele të larta të neurotizmit edhe pakënaqësisë së ligjshme, sociale e qytetare.

Problemet e mirëqenies, arsimit, shëndetësisë, emigracioni, prosesi demografik i plakjes së popullsisë, norma akoma e lartë e kriminalitetit, dobësimi funksionimit të strukturës dhe rolit edukativ të familjes, debatet për shqetësimet endemike të shkollës, situata e të moshuarve, problemet e nivelit të pensioneve, etj, janë disa nga fushat që janë në pritje të reformave prej vërteti, në mënyrë që situata për vitin 2026 të mos jetë po ajo. Besoj se duhet përgjgjësi komplekse politike, sociale, institucionale nga qeveria, shoqëria civile, organet e pushtetit vendor, industria e dijes dhe edukimit, për të bërë hapa përpara, përmes reformave të vërteta, në mënyrë që këtë vit të mos mbeten këto problematika komplekse e shqetësime qytetare, ashtu sikurse kanë qënë vitin që sapo kaloi. Kjo kërkon përgjegjësi komplekse, përmirësime evidente në të gjithë fushat dhe sektorët e jetës.

1.Politika edhe vitin që kaloi ka qenë sektori më problematik i jetës, me një konfliktualitet të skajshëm, me një luftë shpesh herë boshe dhe butaforike midis partive politike. Luftë politike e zhvilluar herë si qëllim në vetvete dhe shumë herë pa substancë dhe impakt pozitiv në jetën e shoqërisë dhe përmirësimin e treguesve të jetës së qytetarëve. Shpresa se pas zgjedhjeve të përgjithshme politike në Shqipëri do të kishim një politikë më cilësore, një klasë politike më solide, të formuar e të pjekur, më të përgjgjshme, duket se nuk është realizuar si duhet. Jeta politike është e inonduar nga nivele militanteske dhe oratori boshe, shpesh herë e përfshirë në mënyrë artificial nga konfliktualitete pa bukë e qëllim në vetvete.

Nuk janë pak politikanët me kulturë të cunguar, politikisht të cekët, që për shkak të nivelit të tyre nuk dëgjohen, madje as përfillen dhe vlerësohen nga elektorati. Besoj se është koha që ky vit politik t’i japë fund dialogut bosh të politikës, sepse debatet politike skolastike nuk i shërbejnë qytetarit. Qytetarët presin tjetër gjë nga klasa politike, dhe ata duhet ta plotësojnë këtë pritmëri sociale, që nuk është dëshirë formale e dukje, por e lidhur me fatet e zhvillimit të vendit, integrimin europian dhe nivelin e mirëqenies së qytetarëve tanë.

2.Korrupsioni Ngjarjet e vitit që kaloi dhe proceset e reja në hetim, jo vetëm juridikisht dhe politikisht por edhe në perceptimin publik, në mënyrë fare evidente dhe të padyshimtë, tregojnë se korrupsioni është bërë “kanceri” më i madh që po pengon zhvillimin e ekonomisë dhe intoksikon shoqërinë. Një patologji e përhapur në shoqëri, e cila duket se është bërë më e dukshme në sferat e elitës politike, punonjësve të administratës shtetërore, nivelet e ndryshme të pushtetit qëndror dhe lokal. Viti që kaloi ka qene tejet i inonduar nga shumë dukuri e shfaqje të korrupsionit, të abuzimit dhe vjedhjes së fondeve publike. Një shqetësim i madh me dimension të gjërë social, që ka sjellë jo vetëm mërziti sociale, por dhe mungesë besimi në rritje për ata që janë zgjedhur apo emëruar në “bordin e shoqërisë”.

Akuzat e shumta të evidentuara nga organet e kontrollit dhe penalizimet e shumta nga Prokuroria e Posaçme flasin për një të vërtetë: kjo plagë sociale duket se është bërë gjithpërfshirëse, është zgjeruar dhe bërë më intensive dhe shqiptarët presin që beteja me këtë të keqe të madhe të jetë totale, gjithpërfshirëse, pa hezitim, e vendosur, pa lëshime e tolerancë. Në këtë luftë pesha e drejtësisë është e madhe dhe pritmëritë e qytetarëve, janë akoma më të mëdha se në vitin që kaloi. Besoj se është koha që drejtësinë ta lëmë të fushën e saj, të lirë dhe sovrane për të vepruar ndaj kujtdo, që ka shkelur ligjet apo ka përvehtësuar fondet publike. Për këtë vit, unë besoj që politika të heqë plotësisht duart nga intervenimet në sferën e drejtësisë. Politikanët e këtij vendi duhet të binden se drejtësia, si kudo edhe në Shqipëri ka kriteret e saj, në të cilën miqësia dhe interesat peronale, apo politike nuk duhet të ndërhyjnë.

3.Emigracioni është një plagë e njohur e gjithë tranzicionit, e cila megjithë një farë përmirësimi që pati gjatë vitit 2025, mbetet një “plagë e hapur”, e cila kërkon që të diagnostikohet duke parë problemin dhe vlerësuar zgjidhjet në përputhje me dinamikat e saj në situatën aktuale, shkaqet specifike të ndryshuara nga tipologjia e emigracionit të një dekade më parë. Doemos, terapia e kësaj plage sociale, duhet të jetë në përputhje me simtomat aktuale të shkaqeve të emigracionit.

Viti që kaloi pati një riekuilibrim pak më pozitiv në raportet midis emigracionit dhe riatdhesimit. Shumë janë larguar, por edhe jo pak janë kthyer për të investuar, punuar dhe jetuar në vendin e tyre. Por duhet dinamizuar politikat, për krijimin e kushteve të absorbimit pozitiv të atyre që kthehen dhe vijnë me besim dhe optimizëm ekonomik e patriotik për të kontribuar në vendin e tyre. Është e udhës, sepse shpesh herë vazhdon linja e “kurbës reversibile të emigrantit”, i cili vjen këtu me optimizëm, por nuk gjen kushtet e duhura, përballet me pengesa dhe ngadalësi në përmirësimin e shërbimeve sociale, arsimore e shëndetësore. Pengesa që pastaj i detyrojnë ata të largohen në mënyrë të pakthyeshme. Duhet parë me shqetësim, sidomos largimi i përfaqësuesve të elitës profesionale e akademike, largimi i të cilëve (edhe pse është në të drejtën e tyre) krijojnë vakume intelektuale dhe boshllëqe profesionale në tregun elitar të punës dhe profesioneve specifike. Reformat e nisura për të demotivuar (jo ndaluar) emigrimin, rritja e pagave për një katëgori profesionesh, përmirësimi i sistemit të vlerave dhe meritës, duhet të përshpejtohen, duke i mbojtur nga ngadalësia burokratike, pritmëritë e zhvillimeve të ngadalta me linearitet bezdisës.

4.Plakja e popullsisë është një problem që u evidentuar si shqetësim kompleks edhe gjatë vitit 2025. Një proces biologjik e social me impakte të gjëra demografike, ekonomike, por pse jo edhe patriotike. Procesi është zhbalancuar, raporti midis lindjeve dhe vdekjeve është kritik për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Shoqëria ka filluar të ketë një peshë specifike të konsiderueshme të të moshuarve në raport me të rinjtë. Numuri i të moshuarve është në rritje. Mjafton të kujtojmë se vetëm pensionistë në sistemin e sigurimeve shoqërore janë mbi 750 mijë. Numuri i lindjeve ka rënë. Fakti që vitin që kaloi kishim 1.6 fëmijë për grua (një rritje e ulët nga 1.2 që ka qënë vite më parë), tregon se jemi larg normës së lindjeve për të mbajtur këtë popullsi që kemi me 2.4 milon banorë. Duhet të paktën të kemi normën 2.1 fëmijë për grua. Kjo ka shkaqet e veta me natyrë ekonomike, sociale, kulturore që lidhet edhe me emancipimin e femrës shqiptare, tipologjinë e familjes sunduese moderne e një bërtamore, me sa më pak fëmijë, mbingarkesat e jetës moderne, prirjet individualiste për të paksuar ngarkesat familjare në emër të interesit dhe kënaqësive individuale, etj.

Reformat për të nxituar natalitetin, duke filluar nga “bonusi i bebes”, i aplikuar nga qeveria vite më parë (40, 80, 1200 lekë për fëmijët e rradhës), edhe pse pozitive ishte një “aspirinë sociale” që pati efekte minimale. Vendimi i ri i qeverisë për mbështjen monetariste të familjes me fëmijë që do aplikohet këtë vit, mund të ketë efekt në përmirësimin e situatës.

  1. Familja dhe problemet e saj

Viti që kaloi ka qënë i shoqëruar me shumë probleme sociale që kanë lidhje me rolin dhe funksionimin e familjes, e cila për fat të keq nuk e ka patur mirë “shëndetin” e brendshëm të saj. Madje nëse i bëjmë një diagnostikim të vërtetë sociologjik patologjive që kanë mbërthyer familjen, në mënyrë evidente duket se jo pak prej tyre brehen nga kontradikta, konflikte, dhunë gjinore maskiliste, ulje e kuotave të prindërimit, zbehje të kujdesit për fëmijët dhe sidomos për adoleshentët. Viti që kaloi pati një numur jo të vogël të krimeve brenda familjes për motive banale. Kostot më të mëdha i kanë paguar gratë dhe fëmijët. Nuk është e mirë situata, sepse shëndeti i mirë i familjes, funksionimi i shëndetshëm i saj është parakusht, bazë dhe garanci për përmirësimin e shëndetit të shoqërisë shqiptare në tërësi. Besoj se këtë vit duhet të shpesojmë për mërmirësimin e situatës, duke investuar më shumë materialisht, shpirtërisht, emocionalisht për këtë vatër të rëndësishme të jetës sociale. Për këtë celulë, që në tërë historinë dhe traditën tonë ka qenë baza, themeli, struktura më solide e jetës individuale, komunitare e sociale. Ky vit kërkon në mënyrë urgjente dhe imperative investim, në rradhë të parë nga bashkëshortët e prindërit, për të përmirësuar investimin prindëror, por edhe duke përmirësuar parimet e unitetit të bashkëshortësisë, parimet e prindërimit dhe komunikimit me fëmijët, sidomos me adoleshentët, që janë jo vetëm problem për familjen dhe shkollën, por edhe hallka më e dobët në zinxhirin e shoqërisë.

6.Të moshuarit, janë shtresa sociale, jo vetëm me peshë demografike të konsiderueshme, por edhe me shumë probleme të natyrshme apo të panatyrshme, që lidhen me shëndetin, mirqenien sociale, nivelin e pensioneve, problemet e cilësisë së shërbimeve shëndetësore apo plagës së vetmisë që për fat të keq po bëhet një “vrimë e zezë” sociale që është në zgjerim. Analiza dhe statistikat flasin për një numur të madh të të moshuarve, që kanë nevoja të veçanta si shtresë, por edhe individualisht e të personalizuara. Doemos mosha e bën moshimin një periudhë të vështirë për njeriun, në të gjitha pikëpamjet materiale, financiare, shëndetësore, sociale, etj. Kjo moshë ka nevojë për mbështetjen së pari të familjes biologjike, shmangien e cinizmit të brezit të ri, që në emër të “moderintetit” apo strukturës moderne të “familjes bërthamore”, shfaqin tendenca të braktisjes të moshuarve. Apo që kërkojnë që të largojnë përgjegjësinë, duke i vendosur mekanikisht, pa arsye e shkaqe të qenësishme në institucionet e shërbimit social (Shtëpitë e të Moshuarve). Doemos edhe emigracioni ka efektet e veta, në zgjerimin e plagës së vetmisë për shumë të moshuar, që mbeten vetëm.

Por të moshuarit kanë të drejtë dhe vitin e kaluar u bënë një “shtresë sociale problematike” për qeverinë dhe skemat e sigurimeve sociale e shëndetësore. Niveli i pensionit është një çështje në rend të ditës, e shtruar për zgjidhje. Disa përmirësime kalendarike, sikurse ishin aplikimi indeksit të inflacionit, apo bonusi në fund të vitit edhe pse me vlerë, janë zgjidhje të pamjaftueshme. Viti që kaloi e ka lënë këtë shtresë me rreth 530 mijë pensionistë, që e kanë pensionin nën 200 mijë lekë të vjetra. Një shifër me të ardhura nën nivelin e pranuar të minimumit jetik. Të moshuarit kanë shumë shpresë se ky vit do të jetë me ndikime në përmirësimin e reformës së pensioneve, përmirësimin e nivelit të mbështjes nga skemat kontributive dhe strukturat e mbështetjes sociale qeveritare dhe institucionet e pushtetit vendor.

7.Kriminaliteti ka qenë mbase një nga shqetësimet më serioze të vitit që kaloi. Megjithë ndonjë “përmirësim statistikor”, krimi mbetet një nga plgët më të rënda në shoqëri, i përhapur në jetën e familjes, në shoqëri dhe jetën publike. Prania e njerëzve “bisha” që me gjak të ftohtë vrasin gruan, fëmijët, nënën, babën, shokun, shoqen për arsye banale, është një problem i madh ekzistencial. Sepse “limfa” e krimit akoma nuk po frenohet dhe kriminelet akoma nuk pa bëhen “zap”. Shumë shqetësues është fakti që në shoqëri ka një prirje të uljes së moshës së fillimit të aktivitetit kriminal. Statistikat tregojnë se “krimi minor” është në rritje dhe mosha e fillimit të veprimtarisë kriminale në ulje. Format e krimit fillojnë nga shfaqjet e bullizmit, ngacmimeve virtuale që pastaj përfundojnë me plagosje e vrasje.

Besoj se duhet të na shqetësojë ky nivel i kriminalitetit të fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët duke qenë në “moshë delikate”, në tranzicion social, në “situatë biologjikisht plastike”, për shkaqe që lidhen me moshën, por sidomos me dobësimin e punës së strukturave edukative, të familjes, prindërve, shkollës dhe mësuese, më shumë se janë fajtorë për veprimet, që kryejnë, janë viktima të braktisjes sociale dhe defiçitet edukativ të institucioneve themelore të edukimit dhe sigurisë morale. Koha kërkon një rishikim të strategjisë në luftën kundër krimit, duke krijuar një sintezë kompakte midis institucioneve të edukimit dhe parandalimit, me ato të ndëshkimit të merituar nga organet e policisë dhe drejtësisë, të cilat gjithashtu kanë role dhe përgjegjësi në këtë betejë vendimtare e qytetëruese, kundër krimit dhe kriminalitetit.

Shqiptarët presin, janë shpresë plotë, por dhe dyshues, nëse gjërat do vazhdojnë edhe këtë vit të ecin kështu, në rrugë lineare dhe me ndryshime të drojtura, apo do të jetë vit i realizimeve në masshtabet e strukturave të mëdha: të përmirësimit të cilisisë së politikës, rritjes së efiçiencës së qeverisjes, konsolidimit të rolit dhe funksioneve komunitare të pushtetit vendor, përmirësimi i problemeve ekzistenciale të funksionimit të sistemit të drejtësisë, zhvillimit të arsimit dhe “industrisë së dijes”, shërbimeve të shëndetësisë, forcimit të fizionomisë komunitare të policisë, etj. Por njëherësh janë të gjitha shpresat, që të kemi një shoqëri më paqësore e komunikuese, më bashkëpunuese dhe më pak neurotike, një familje më të shëndoshë me bashkëshortësi dhe prindërim të dobishëm, fëmijë më të kultivuar, të zhvilluar, të edukuar, adoleshentë më pak agresivë e më shumë komunikues, mësues të devotshëm, mjekë më humanë, fqinjësi më të mirë, ndjenjë komunitare më të fortë, etj.

Të gjitha këto janë pritmëritë e shqiptarëve për vitin 2026. Realizimi nuk është epifenomenal, por real, tërësisht në dorën tonë si shqiptarë, patrotë, atdhetarë dhe europianë…

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights