Shtatë kandidatët në garë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH) ditën e sotme, 10 korrik, i janë nënshtruar testimeve fizike.
Po ashtu pjesë e grupit të punës që do të merren edhe me kontrollin fizik të kandidatëve në garë është një mjek që do të kujdeset për gjendjen e tyre shëndetësore, si dhe po ashtu nga ana tjetër ka përfaqësues nga Universiteti i Sporteve dhe vëzhgues të huaj.
Testet fizike, sipas informacioneve, lidhen me faktin që duhet të jenë disa ushtrime fizike që janë 200 metra sprint, pompa, vrap e disa ushtrime të tjera. Pas testeve fizike do të vijojë me testin psikologjik.
Kandidatët:
- Andi Pogaçe
- Artur Beu
- Elton Kërluku
- Gentian Ndoi
- Gentjan Shehaj
- Gledis Nano
- Joni Keta
Si zhvillohet procedura për zgjedhjen e kreut të BKH-së:
Sipas rregullores, do të ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi.
Tek pika e fundit parashikohet dhe përzgjedhja e katër kandidatëve më potencialë, që i dërgohen drejtuesit të SPAK. Altin Dumani do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare dhe emri i kandidatit të përzgjedhur i paraqitet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për miratimin e mandatit 5-vjeçar.
Aktualisht Byroja Kombëtare e Hetimit drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila i përfundon mandati më 31 gusht. Ajo nuk arriti të dorëzonte dokumentacionin brenda afatit të aplikimit.
Njoftimi i SPAK:
Në përputhje me nenin 38, pika 2, shkronja ‘d’, të ligjit 95/2016, sot u zhvillua faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht Testi i Aftësisë Fizike (TAF). Testimi nisi në orën 07:00 në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë.
Shtatë kandidatët pjesëmarrës ishin njoftuar më herët për modalitetet e zhvillimit të testit dhe përfunduan të gjithë komponentët përbërës të tij.
Testi synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës:
- Numrin maksimal të palosjeve (në një minutë);
- Sprintin 300 metra, (i matur me kohë)
- Numrin maksimal të pompave (pa kufizim kohor)
- Vrapin 2.4 km, (i matur me kohë).
Zhvillimi i testit u monitorua nga një ekip mjekësor për të vëzhguar mbarëvajtjen e tij.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të garantuar transparencën dhe ruajtjen e standardeve të procesit.
Pas përfundimit të kësaj faze, do të vijohet me fazën e tretë, e cila konsiston në zhvillimin e një eseje me shkrim dhe testit të arsyetimit logjik.