Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka zyrtarizuar këtë të premte hedhjen e shortit për sezonin e ri të “Abissnet Superiore”, që do të jetë edicioni i 87-të në historinë e kampionatit më të lartë të futbollit shqiptar. Java e parë është tashmë e konfirmuar dhe përballjet premtojnë emocion që në fillim.
Ndeshjet e javës së parë (sezoni 2025–2026):
Partizani – Vora
Teuta – Dinamo City
Vllaznia – Egnatia
AF Elbasani – Flamurtari
Bylis – Tirana
Sezoni i ri do të nisë më 23 gusht 2025 dhe është planifikuar të mbyllet në maj 2026. Kampionati këtë vit sjell disa risi të rëndësishme, përfshirë një rregullore të re për fazën finale, që synon të shtojë rivalitetin për titull dhe vendet europiane.
Pas përfundimit të 36 javëve të sezonit të rregullt, katër skuadrat e para në renditje do të kalojnë në një “Final 4”, një mini-kampionat me tre javë ku të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në “Air Albania Stadium”.
Ky sezon shënon debutimin historik të Vorës në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa Flamurtari rikthehet pas disa viteve në kategoritë më të ulëta.