Fshati Blatten në Zvicrën jugore ka ekzistuar për shekuj me radhë, por bukuria e tij u zhduk brenda sekondash.
Shkencëtarët që monitoruan malin Nesthorn mbi fshat javët e fundit panë se pjesë të tij kishin nisur të shkërmoqeshin dhe të binin mbi akullnajën Birch.
300 banorët dhe bagëtitë e tyre, u evakuuan. Të gjithë shpresonin që shkëmbi i paqëndrueshëm do të shpërndahej gradualisht dhe pas kësaj të gjithë mund të ktheheshin në shtëpi, por kjo shpresë u shua.
Nëntë milionë metra kub shkëmb dhe akull ranë poshtë në luginë. Fshatrat e afërta si Wiler dhe Kippel janë në rrezik nga përmbytjet si pasoje e shkrirjes se akullit.
Fenomeni u regjistrua në çdo stacion monitorimi gjeologjik në Zvicër. Por askush, madje as ekspertët, nuk e priste një shkatërrim kaq të madh.
“Gjatë javëve të fundit, mbi akullnajë u zhvillua një paqëndrueshmëri e madhe e shkëmbinjve. Ato filluan të binin nga mali dhe të depozitoheshin mbi akullnajë. Kështu që filloi të rrjedhë më shpejt drejt luginës”.
Një mision shpëtimi u angazhua për të gjetur një burri 64-vjeçar i cili u zhduk në Blatten. Shtëpitë e pakta që mbetën të paprekura u përmbytën.
“Së pari, kërkimi ende vijon, edhe pse disa herë u desh të ndërpritej përkohësisht sepse situata në zonë ishte shumë e rrezikshme për shërbimet e emergjencës. Pas një analize të kujdesshme, shërbimet e emergjencës u dërguan me aeroplan në zonë për të vazhduar kërkimin”.
Ekipet e shpëtimit me qen dhe dronë kërkuan burrin e zhdukur, por ato kanë qenë të vështira pasi ekzistonte frika për rënie të mëtejshme shkëmbinjsh.
Drejtoresha e shoqatës zvicerane “Chain of Happiness”, Miren Bengoa, tha se ata kanë arritur të mbledhin më shumë se 6 milionë franga zvicerane pas ngjarjes, për t’i ardhur në ndihmë banorëve që të zhvendosen.
“Ne e filluam mbledhjen e fondeve menjëherë pas ngjarjes në Blatten më 28 maj. Zviceranët iu përgjigjën thirrjes menjëherë. Është një traditë, solidariteti dhe që nga ajo ditë, ne kemi mbledhur pothuajse 6.6 milionë franga të cilat vijnë kryesisht nga individë, ndonjëherë nga kompani dhe gjithnjë e më shumë nga shërbimet publike ose fondacionet”.
Çështja kryesore do të jetë strehimi.
“Gjëja e parë që na vjen ndërmend janë të mirat materiale, por mendojmë se mund t’i japim një përgjigje të shpejtë çështjes së strehimit, por edhe që njerëzit të rikthehen në punë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne të sigurohemi që fëmijët dhe të rinjtë të marrin ndihmë psiko-sociale nëse është e nevojshme, sepse është një traumë shumë e madhe të largohesh nga shtëpia”.
Gjatë 20 viteve të fundit ka ndodhur një ndryshim, akullnajat po shkrihen më shpejt se kurrë.
Vëllimi i akullit është më pak se gjysma e asaj që ishte një shekull më parë, dhe disa akullnaja janë zhdukur krejtësisht. Nëse ngrohja globale nuk qëndron brenda rritjes prej 1.5 gradë Celsius të rënë dakord në marrëveshjen e klimës së Parisit, glaciologët besojnë se shumica e akullnajave të Zvicrës do të jenë zhdukur deri në fund të këtij shekulli.
“Ndryshimi i klimës është një faktor për stabilitetin e shpateve shkëmbore. Me rritjen e temperaturave, do te thote më shumë ujë i disponueshëm përmes shkrirjes së akullit dhe borës. Këta janë faktorë që nuk janë të dobishëm për stabilitetin e maleve. Është sigurisht një ngjarje vërtet e rrallë. Nuk pres që të shohim diçka të tillë së shpejti. Por, mund të ndodhë përsëri”.
Akullnajat e ruajnë borën në dimër dhe e lëshojnë atë gradualisht gjatë verës, duke mbushur lumenjtë dhe duke siguruar ujitjen për të mbjellat. Pavarësisht të gjithë monitorimit dhe hartëzimit të rrezikut në Blaten, shkrirja e shpejtë po e bën shumë të vështirë parashikimin e saktë të situatës.
Ndërsa ushtria zvicerane po monitoron nga afër situatën, disa ekspertë paralajmërojnë për përmbytje.