Zbatimi i amendamenteve të reja për lëvizjet ndërkufitare të mbetjeve elektronike, forcimi i procedurës së Pëlqimit Paraprak të Informuar (PIC) dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar ishin në fokus të takimit rajonal të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare.
Takimi u organizua nga Sekretariati i Konventave BRS (Basel, Rotterdam dhe Stockholm) dhe mblodhi përfaqësues të autoriteteve nga vendet e Europës Lindore për të diskutuar mbi zbatimin e amendamenteve të Konventës së Bazelit për mbetjet elektronike (E-waste).
Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë aktivitet përforcon angazhimin e Doganave Shqiptare për rritjen e kapaciteteve në kontrollin e këtyre mallrave, si dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimin efektiv të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
Nëpërmjet pjesëmarrjes në tryeza dhe forume rajonale, Administrata Doganore synon gjithashtu të kontribuojë në shkëmbimin e praktikave më të mira dhe në forcimin e mekanizmave për parandalimin e lëvizjeve të paligjshme të mbetjeve të rrezikshme.
