Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në konferencën 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë me titull “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, e cila ka nisur ditën e sotme.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se të gjitha trupat diplomatike të Shqipërisë, kudo që ndodhen në botë, duhet të fokusohen në një objektiv të vetëm historik: Integrimin e Shqipërisë në BE.
“Konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumë ëndërruar të BE-së dhe, pa asnjë diskutim, të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik, kudo, nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër, duhet të fokusohen në radhë të parë te ky objektiv historik që tanimë është më afër se asnjëherë tjetër dhe duhet përmbushur me sukses procesi i negociatave për anëtarësim me ratifikimin me sukses të vendimit të anëtarësimit nga 27 parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Që do të thotë: këto 4 vite që përfshihen me këtë axhendë janë katër vite që nuk duhen humbur, dhe koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së gjithë veprimit që do të marrë BE për anëtarësimin e Shqipërisë.
Sa i takon negociatave, ato zhvillohen në bazë dypalëshe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, por e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme, siç e keni parë edhe në të shkuarën, nga faktorë të ndryshëm. Prandaj është me rëndësi puna e përditshme diplomatike dhe fokusi i përditshëm, ku nevoja për ta ushqyer me energji pozitive nga Shqipëria, e politikëbërësit dhe opinionit publik.”, tha Rama.
Negociatat, me rëndësi puna jonë e përditshme
Kryeministri ka kërkuar sot modernizimin dhe zhdërvjelltësimin e shërbimit të jashtëm diplomatik, duke theksuar se ai duhet të jetë pikë referimi për të rinjtë me dije dhe ambicie për t’i shërbyer vendit.
“Dua të theksoj se është e domosdoshme që shërbimi ynë të zhdërvjelltësohet, që shërbimi ynë të jetë një pikë referimi për talentet, vajzat dhe djemtë që kanë dije e ambicie për t’i shërbyer Shqipërisë dhe nga ana tjetër, të rrisë kapacitetin për të shkuar përtej rutinës së përditshme. Dua të veçoj këtu shembullin pozitiv i cili duhet të jetë një frymëzim për të gjithë, qasjen e Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme në raport me shërbimin, të gjithë procesit të punës për formësimin e trupës në ambasadën tonë në Bruksel pranë Komisionit dhe për punën me Komisionin. Është bërë një punë e admirueshme për të hapur dyert për të gjithë ata që kishin dëshirë t’i bashkoheshin skuadrës së ambasadës dhe përmes një bashkëpunimi pozitiv, është arritur që të krijohet një bërthamë, e cila nuk kam asnjë dyshim që është një nga investimet më të bukura që janë bërë në këto vite për shërbimin tonë të jashtëm dhe do të shërbejë siç duhet për ta fuqizuar siç duhet atë trupë që muaj pas muaji dhe vit pas viti do të ketë një ngarkesë gjithnjë e më të madhe dhe do të jetë baza e Shqipërisë shtet anëtar të BE.“, tha kryeministri.
Rama kritikon ambasadorët: E papranueshme që s’kemi një regjistër të shqiptarëve që shkëlqejnë nëpër botë
Rama kërkoi sot nga ambasadorët që të dhe regjistrojnë në mënyrë të plotë komunitetet shqiptare nëpër botë, madje i kritikoi që ende nuk e kemi një regjistër të tillë.
Sipas tij, është e papranueshme që një vend i vogël si i yni, të mos ketë një regjistër të përditësuar vazhdimisht me shqiptarë të cilët shkëlqejnë në profesionet e tyre në vende të ndryshme të botës.
“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjeshtë rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta. Edhe këtu ka disa arritje të veçanta, suksese apo më saktë pozitive, por në tërësi jemi shumë mbrapa. Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tonë njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik. Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet. Por që ne të mos kemi një database që pasurohet dita ditës me profesionistë shqiptarë në territorët e mbarë botës, dhe kur shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë por do ta mirëprisnin një ftesë të Shqipërisë për të kontribuar, ndërkohë që bota është bërë kaq e ndërlidhur, kur nuk ka më asnjë nevojë për të lëvizur, që aty ku je që të japësh një kontribut, është e papranueshme që ne kemi kaq padituri për një kapital të jashtëzakonshëm që kemi jashtë vendit.”, tha Rama.
Është krijuar një bërthamë e fortë për integrimin
Nga konferenca vjetore “Diplo 2025” që ka mbledhur ambasadorët shqiptarë të akredituar në botë, kryeministri ka vlerësuar lart përpjekjet e deritanishme të trupës diplomatike, duke theksuar se është bërë një punë e admirueshme në ndërtimin e një ekipi të konsoliduar në shërbim të aspiratës madhore: anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Është bërë një punë e admirueshme për të gjithë ata që kishin dëshirë t’i bashkoheshin skuadrës së ambasadës përmes një bashkëpunimi pozitiv të dy ministrave të shtetit, dhe ambasadorit tonë në Bruksel, Ferit Hoxhës. Është arritur të krijohet një bërthamë që nuk kam asnjë dyshim se është një nga investimet më të bukura që është bërë nga shërbimi ynë i gatshëm diplomatik.“, tha ai.
Duhet të jemi promotorët e paqes në rajon
Rama paralajmëroi se muajt dhe vitet në vijim do të sjellin një ngarkesë të madhe, pasi Shqipëria po hyn në një fazë vendimtare të procesit të integrimit. Ai theksoi se vendi ynë duhet ta paraqesë veten si promotor i paqes në rajon.
“Muaj pas muaji dhe vit pas viti do të ketë një ngarkesë të madhe. Dhe patjetër do të jetë baza e asaj që do të vijë më pas: e Shqipërisë anëtare në BE. Në funksion të mbajtjes dhe rritjes së intensitetit të komunikimit me të gjithë aktorët dhe faktorët e komunikimit institucional dhe shoqëror, sepse për sa i përket rajonit ne kemi interes strategjik dhe detyrimin që të jemi promotorët e paqes dhe stabilitetit në të gjithë këtë lagje të Europës. Në këtë aspekt është me rëndësi të veçantë edhe mirëmbajtja me të gjithë faktorin shqiptar, si dhe përcjellja në vazhdimësi e mesazhit që faktori shqiptar në rajon të jetë shëmbëlltyrë e çështjes sonë shumë të qartë dhe të formësuar në shumë vite me radhë si një komb i përkushtuar ndaj ardhmërisë europiane dhe si një vend tërësisht i përkushtuar ndaj aleancës dhe partneritetit me botën demokratike.”, tha Rama.
Është rritur nevoja për një trupë të motivuar
Në Kuvend do të miratohet së shpejti një kuadër i ri ligjor që pritet të rrisë mbështetjen financiare ndaj përfaqësive diplomatike të Shqipërisë. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së ambasadorëve “Diplo 2025”. Ai tha se është rritur nevoja për të pasur një trupë përfaqësuese motivuese.
“Së shpejti në Kuvend do të miratojmë të gjithë kuadrin e ri që do u mundësojë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të jetë më pranë dhe më efektive në përmbushjen e nevojave të përfaqësive tona, që patjetër do rrisë nga një anë kërkesën ndaj përfaqësive, por nga ana tjetër edhe mbështetjen për përfaqësitë tona diplomatike. Jeta në Europë dhe kudo është shtrenjtuar dhe nevoja për të pasur një trupë të motivuar është rritur. Natyrisht për ta përmbushur siç duhet këtë nevojë dhe për t’iu përgjigjur siç duhet sfidave dhe për ta shfrytëzuar potencialin që kemi duhet edhe një motivim më i madh financiar i trupës sonë të shërbimit të jashtëm”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik dhe ka nivelin më të lartë se asnjëherë të besimit në arenën ndërkombëtare.
Ftesë presidentit të Qipros të vizitojë Shqipërinë
Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij, Rama falenderoi për pjesëmarrjen ministrin e Jashtëm qipriot, Constantinos Kombos, ndërsa shtoi se presidenti i Republikës Bajram Begaj i ka bërë një ftesë zyrtare presidentit të Qipros, Nikos Christodoulides.
“Para së gjithash, edhe në emrin tuaj, më lejoni që edhe unë, ashtu si edhe ministri, t’i shpreh mirëseardhjen në Shqipëri një miku, ministrit të Jashtëm të Qipros, i cili vjen sot këtu edhe në rolin e rëndësishëm të përfaqësimit të presidencës europiane të radhës, por padyshim edhe për të shtyrë përpara edhe një marrëdhënie të rëndësishme për ne në disa dimensione, pasi Qipro është një vend i vogël por që ka bërë suksese të admirueshme. Në dijeninë time, presidenti i ka dërguar një ftesë Presidentit qipriot, që ne e presim.“