Numri i emigrantëve shqiptarë me varka të vogla që arrijnë në Britaninë e Madhe është rritur pas një rënieje dimërore, me shifra që janë dyfishuar javën e kaluar. Shifrat e fundit duket se realizojnë parashikimet e Home Office për një rigjallërim këtë pranverë, pasi numrat ranë në mënyrë dramatike gjatë muajve të ftohtë të dimrit.
Në pesë muajt e parë të këtij viti 151 shqiptarë kanë mbërritur me varka të vogla, por në javën e kaluar totali i përgjithshëm është dyfishuar në pothuajse 300.
Ditët e fundit po konfirmojnë dhe hedhin poshtë deklarimin e kryeministrit britanik se masat po japin efekt, kur më shumë se 1200 emigrantë ilegalë kanë mbërritur në brigjet angleze, ç’ka përben nivelin më të lartë të kalimeve ilegale me gomone që nga nëntori i kaluar.
Vetëm në tre ditët e fundit me 12 gomone kanë mbërritur 616 emigrantë ditën e djelë, të hënën ishin 545 dhe të paktën katër gomone me 200 veta kanë mbërritur ditën e djeshme, ku mendohet se mes të ardhurve nga kombësi të ndryshme ka edhe shqiptarë.
Moti në La Mansh është përmirësuar dukshëm dhe erërat nga verilindja e ngushticës, kanë rënë duke qetësuar dallgëzimin në La Mansh. Shifra totale deri më sot po i afrohet 9 mijë të ardhurve brenda këtij viti.
Vitin e kaluar mbërritën në Britani rreth 46 mijë emigrantë dhe parashikimet për këtë vit janë për 80 mijë, por kjo mbetet për t’u parë në muajt e ardhshëm.
Dukshëm masat dhe mesazhet e autoriteteve britanike për ata që synojnë të vijnë ilegalisht në Britani, të paktën tek ata që po mbërrijnë duket se janë injoruar, edhe përkundër ashpërsimit të masave anti-emigracion.
https://www.facebook.com/blueledED/