Me afrimin e pak ditëve drejt festës së Fundvitit, pikat kufitare të vendit po përballen me një fluks të shtuar të pasagjerëve që po hyjnë në Shqipëri. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nga dogana e Kakavijës kanë hyrë rreth 7,000 persona, ndërsa rreth 1,500 janë larguar drejt vendeve fqinje.
Shumica e pasagjerëve janë emigrantë shqiptarë që kthehen në atdhe për të kaluar festat pranë familjeve të tyre. Për shkak të fluksit të lartë, koha e pritjes është rreth një orë e gjysmë. Pala greke po punon me dy sportele në hyrje dhe tre në dalje për të përballuar këtë ngarkesë.
Gjithashtu, gjatë javës së fundit, numri i pasagjerëve që kanë hyrë në Shqipëri ka arritur rreth 25 mijë, ndërsa gjatë natës së ndërrimit të viteve pritet një tjetër valë e madhe, me rreth 40 mijë pasagjerë që do të kthehen në vend.
Edhe në pikat kufitare të tjera si Kapshticë, Muriqan dhe Qafë Thanë, si dhe në portet e Vlorës dhe Durrësit, fluksi i pasagjerëve është i lartë. Emigrantët shqiptarë nga Greqia, Italia dhe vende të tjera europiane po kthehen në vend për t’u bashkuar me të afërmit për festat e Fundvitit.
Kjo periudhë festash pritet të sjellë një numër të lartë udhëtimesh dhe pushimesh, duke rritur edhe më shumë aktivitetin në pikat kufitare dhe portet e vendit.