Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët në Kryeministri.
Më poshtë fjala e plotë e Kryeministrit Rama dhe përgjigja e pyetjeve nga gazetarët:
Kryeministri Edi Rama: Kjo është konferenca tradicionale e fundvitit! E dini si zhvillohet, do bëj një përmbledhje, do përpiqem të jem më i përmbledhur sesa zakonisht sepse ndërkohë kemi marrë dhe shumë pyetje nga publiku kështu që do t’i bëjmë të alternuara dhe secili prej jush do bëjë pyetjen e vet, ndërkohë që dhe publiku do bëjë pyetjet e veta.
Ju falënderoj në radhë të parë për gjithë vitin, për të gjitha punët, përpjekjet, pritjet tuaja të gjata në dyer të institucioneve apo të arenave të jetës politike dhe më lejoni ta nis këtë konferencë me një lajm që mora para pak nga Instituti Amerikan CATO, i cili është një institut i mirënjohur dhe që ndër të tjerra publikon edhe atë që quhet indeksi i indekseve, lidhur me lirinë njerëzore dhe lirinë ekonomike dhe më vjen shumë mirë që të ndaj me ju, që Shqipëria ka një pozicion shumë inkurajues, është renditur e 39-a në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9-ta në gjithë pjesën e Evropës lindore, sepse kështu e kanë të ndarë raportin, ku përsa i përket lirisë ekonomike, renditet përpara vendeve si Polonia apo Bullgaria, apo Kroacia, Hungaria, apo Greqia e kështu me radhe dhe po ashtu për lirinë njerëzore, ndërkohë që për lirinë ekonomike është në pozicion më të mirë, dy apo tre vende para saj.
Është një natyre pozitive, natyrisht raporte ka shumë, indekse ka shumë, po duke qenë se raportet pozitive dhe indekset pozitive nuk bëjnë lajm, shfrytëzova rastin për ta ndarë këtë më ju si një lajm të mirë, nga shumë lajme të mira për Shqipërinë, të cilat siç e thashë, nuk bëjnë lajm.
Po përpiqem të prek pak disa fusha kryesore duke filluar nga ekonomia.
Jemi në një vit ende që në aspektin e ekonomisë është ndër më të mirët, me të dhëna shumë pozitive dhe shumë inkurajuese dhe parashikohet që të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9%. Pra, pothuajse 4% që është një rritje kuptimplotë dhe mbase më e larta në të gjithë këtë ‘’pellg’ ku gjendemi ne, në kontinentin tonë. Ndërkohë që bizneset e reja janë shtuar me afro 20%, në 11- mujorin e vitit sepse keni parasysh, nuk i kemi të dhënat e dhjetorit; investimet e huaja vetëm në 3-mujorin e tretë kanë pasur një rritje mbi 10% dhe stoku i investimeve të huaja është domethënës dhe më i lartë me mbi 10% krahasimisht me vitin e mëparshëm; paga mesatare në 3-mujorin e tretë ka rezultuar 833 euro, që është një rritje domethënëse; kemi për pak ditë edhe hyrjen në fuqi për pagën minimale që shkon në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish qoftë në sektorin privat, qoftë në sektorin shtetëror; ashtu siç e kemi thënë, kontributet për këta punonjës, për një periudhë 9-mujore do të paguhen nga punëdhënësit ndërkohë që duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer dhe indeksimi i radhës i pensioneve, por ajo që është më e rëndësishme, është që me hyrjen e vitit të ri, nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar, trefishuar, katërfishuar, pesëfishuar vit pas viti dhe kjo është e gjitha e parashikuar në planet financiare të qeverisë.
Duke filluar nga janari, pensionet do të rriten siç e kam thënë dhe më parë dhe siç është shpjeguar gjerë e gjatë dhe nga ministrat përkatës, përtej indeksimit, pra indeksimi nuk është rritje e pensionit në kuptimin për të cilin flasim, por është një mekanizëm që lidhet me çmimet, ndërkohë që rritja që ne do bëjmë, do të jetë domethënëse vit pas viti. Dhe kështu pensioni urban me vite të plota pune, duke filluar nga janari do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj, gjë që do të dyfishohet në janarin e 2027, trefishohet në janarin e 2028 dhe katërfishohet në janarin e 2029 dhe kështu me radhë dhe kjo vlen për të gjitha shifrat që do të jap;
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 000 lekë në muaj, pensioni rural do të rritet me 1 000 lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj, pensioni i invaliditetit do të rritet me 600 lekë në muaj dhe kështu me radhë.
Ndërkohë kemi të dhëna shumë pozitive dhe në një fushë tjetër që ka të bëjë drejtpërdrejt me ekonominë, që është arsimi profesional ku kemi arritur në afro 20% të arsimit të mesëm të lartë, para universitar duke shënuar një rezultat të ri pozitiv, por ajo që është e rëndësishme të theksohet, është se punësueshmëria e nxënësve të arsimit profesional është shumë e lartë. Në vitin 2024, sepse 2025 del më pas, kemi pasur 63%, përqindjen e të punësuarve nga nxënësit që kryejnë arsimin profesional. Buxheti për arsimin profesional është rritur ndjeshëm këtë vit dhe do të rritet dhe më shumë në vitin e ardhshëm.
Përsa i përket politikave të strehimit social, ky vit ka pasur mbështetje për strehimin social për rreth 4 mijë familje dhe ndërkohë jemi duke përgatitur atë që e kemi bërë me dije qysh në fushatën elektorale, reformën e strehimit social për të hapur një epokë krejt të re dhe për të arritur në mënyrë shumë të ndjeshme numrin e përfituesve, jo vetëm për strehimin social, por edhe për atë që quhet strehim i përballueshëm në aspektin e çmimit.
Ndërkohë përsa i përket borxhit kemi vazhduar të kemi ulje të borxhit dhe faktikisht edhe këtë vit borxhi ulet, ndërkohë që vlerësimet e kreditit të Shqipërisë qoftë nga Standard & Poor’s, qoftë Moody’s janë pozitive dhe kanë rezultuar me rritje këtë vit, kur Shqipëria pas shumë vitesh në B+ ka kaluar në BB dhe në perspektivë të qëndrueshme për Standard & Poor’s, ndërkohë që Moody’s rriti vlerësimin nga B1 në BA3. Ka pasur për shkak të rritjes së ekonomisë një rritje kuptimplotë të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pa rritur taksat, kjo është shumë e rëndësishme por vetëm miradministrimin dhe rritja ekonomike kanë sjell 628 miliard lekë të ardhura të shtetit. Ndërkohë që siç e dini janë miratuar disa politika të reja qoftë sa i përket paketës fiskale me marrëveshjen e Paqes Fiskale dhe me projektligjin e faljes së detyrimeve të prapambetura tatimore dhe doganore, qoftë përsa i përket skemës së re të kompensimit të TVSH-së me 10 % për fermerët bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Europian.
Është po ashtu gati skema e garancisë shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për bujqësinë, e cila ka filluar të japi efektet e para. Ndërkohë që dua ta theksoj këtë, është e rëndësishme edhe sipas vlerësimit të SIGMA-s që është institucioni apo organizimi që bën këto vlerësime për llogari të Bashkimit Europian, krahasuar me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria konsiderohet me shkrim, jo me gojë, – vend lider në funksionimin e administratës publike në rajon dhe në disa fusha specifike, siç është dhe menaxhimi i financave publike, shërbimet publike dhe menaxhimi i burimeve njerëzore.
Natyrisht, kjo është totalisht në kundër tendence me çfarë ziejnë 700 tenxheret politike dhe mediatike, por nuk besoj se SIGMA është një organizëm që ka ndonjë lidhje me qeverinë e Shqipërisë apo me Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Kemi krijuar shoqërinë “AlbTrace”, e cila është një risi në jetën e vendit, falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara, duke siguruar që Shqipëria, e cila për një kohë shumë të gjatë ka qenë e varur nga konçesione të vjetra të prodhojë pullat fiskale këtu në vend, të markojë karburantet këtu në vend dhe të ofroj një sërë produktesh të tjera nga shteti me një teknologji bashkëkohore që do të rrisin sigurinë, por patjetër do të rrisin edhe transparencën.
Kemi hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash-in në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim, por ajo që dua ta theksoj shumë fort është që deri në qershor të vitit të ardhshëm në çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe në atë të transportit, do duhet të garantojë me patjetër format alternative të pagesave për qytetarët. Pra jo vetëm Cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike. Dhe brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës në mënyrë që kushdo qoftë vendas apo turist apo vizitor të paguaj me kartë apo të paguaj me forma të tjera të pagesës elektronike.
Dy fjalë lidhur me arsimin. Më vjen shumë mirë që kemi bërë disa hapa të rëndësishëm këtë vit në arsim, duke filluar nga fuqizimi i mëtejshëm i sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 shkolla, numri i pikave të laboratorëve inteligjentë dhe do të punohet për të arritur objektivin e shpallur të bazuar edhe në financimin e vënë në dispozicion për të pasur 1000 laboratorë inteligjentë brenda vitit 2027, që do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe shumë domethënëse për të gjithë fëmijët dhe për të gjithë nxënësit, që të përfshihen sa më shpejt në botën e re të teknologjisë.
Ndërkohë ka vazhduar ndërtimi dhe rindërtimi i infrastrukturës arsimore, ka filluar projekti i transportit me mjete të prodhuara këtu në vend dhe besojmë shumë që duke filluar nga sezoni i ardhshëm arsimor në vitin 2026 do të fusim në përdorim mjetet e para që do të shtrihen pastaj në të gjithë territorin për të garantuar transportin e mësuesve dhe nxënësve që deri tani është siguruar duke financuar nga buxheti i shtetit, 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues për transportin e tyre në bazë të distancave.
Ka vazhduar programi kombëtar i zhvillimit profesional për mësuesit, psikologët, oficerët e sigurisë dhe në ndërkohë është nënshkruar marrëveshja për Smart City, një komponent i së cilës është rritja domethënëse e sigurisë në shkolla.
Projekti i rilindjes së liceut francez në Korçë, si një lice franko-shqiptar i shkencave dhe inovacionit, ka avancuar pozitivisht, është bërë gati struktura kurrikulare për programin, është përgatitur projektligji i posaçëm dhe është përfunduar edhe projekti i zbatimit të ndërtesës. Puna për ndërtimin e cilës do të fillojë në 2026-ën.
Në ndërkohë, siç e kemi premtuar, është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla, është ulur numri i nxënësve për një psikolog dhe punonjës social që kanë arritur në 839. Është ndërtuar një mekanizëm i ri informimi në kohë reale përmes një platforme dixhitale në shkolla, që siguron komunikimin e drejtpërdrejtë mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve. Është miratuar dhe ka filluar të jetësohet kodi i etikës për mësuesit në sistemin arsimor, ka nisur rishikimi i kurrikulave në të gjitha klasat e sistemit arsimor, ndërsa në vitin 2026 do të fillojë aplikimi i kurrikulave të reja për klasat 1, 6 dhe 10, duke u bazuar tek një qasje e re, që imponohet dhe nga koha dhe që ka të bëjë me shkencat, teknologjinë, inxhinierinë, matematikën, e kështu me radhë.
Në ndërkohë dhe në arsimin e lartë janë bërë investime që vazhdojnë. Projekte rindërtimi të godinës së Fakultetit së Inxhinierisë së Ndërtimit, të fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave dhe Muzeut të Gjeologjisë, të Fakultetit të Studimeve Profesionale të Universitetit Aleksandër Moisiu të Durrësit, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Elbasanit. Ndërkohë që, ka përfunduar faza e parë për short listimin e studiove që do të marrin pjesë në konkursin e projektit të madh të kampusit të ri të universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës ku kanë shprehur interes rreth 40 studio. Procesi i ndërkombëtarizimit ka vazhduar të thellohet. Diploma e përbashkët bachelor dhe master e universitetit teknik Compiègne në Francë me Universitetit Politeknik të Tiranës është tanimë realitet. Vijon transformimi i Universitetit Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Boku të Vjenës me objektivin që të kemi një diplomë të njësuar dhe që faktikisht Universiteti Bujqësor i Tiranës të bëhet pikë referimi në rajon si një universitet ku mund të studiohet dhe të merret një diplomë e barasvlershme me atë të universitetit prestigjioz të Vjenës. Janë financuar një numër edhe më i madh projektesh kërkimore shkencore në bashkëpunim me diasporën akademike. Dhe janë 252 projekte dhe kjo është një shifër shumë pozitive që flet për një energjizim në proces, por shumë inkurajues i universiteteve që tanimë kanë hyrë në botën e re të lidhjes me programet e Komisionit Europian, qoftë në Horizon Europe, qoftë në programet bilaterale ku numrin më të madh të projekteve e ka siguruar Universiteti i Tiranës. Ka dhe një sërë aspektesh të tjera që lidhen me thellimin e digjitalizimit lidhur me arsimin e lartë.
Në ndërkohë që jemi në një fazë të re edhe përsa i përket thellimit të reformës në shërbimin tonë shëndetësor si edhe përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të spitaleve tona publike. Prej marsit ka filluar në Spitalin Memorial zbatimi i autonomisë financiare që është një hap i madh përpara autonomia e spitaleve tona dhe në 12 spitale rajonale dhe terciare po zbatohet autonome menaxheriale.
Ndërkohë janë në proces për të filluar këtë transformim dhe 4 spitale të reja. Kjo do të thotë një ndryshim epokal për shërbimin tonë publik shëndetësor.
Në ndërkohë kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes së kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale që janë bërë gjithmonë e më prezente në jetën e vendit dhe faktikisht është një tendencë botërore që ka një rritje shumë agresive të kancerit në përgjithësi dhe për këtë kemi vendosur një fond të posaçëm plus prej 15 milionë eurosh si fillim. Në ndërkohë që kemi filluar punën për dy gjëra. Së pari krijimin e institutit kombëtar të tumoreve në Shqipëri dhe nga ana tjetër rrjetëzimin e sistemit të shërbimit të kimioterapisë edhe në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin shumë të madh që ka spitali këtu në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit. Në ndërkohë janë një sërë programesh të reja falas që futen në proces që nga shërbimi i trombektomisë tek rikonstruksioni i gjirit si fillim 350 paciente, transplanti i kornesë së syrit dhe do të vijohet me paketat e reja të kardiologjisë, të kardio kirurgjisë, transplanti i veshkës e kështu me radhë.
Në ndërkohe dua të them që ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marr një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekeve dhe infermiereve, gjë që do të rrisë patjetër dhe shpërblimet e tyre sipas viteve të vjetërsisë në punë
Në tërësi parashikohet që pagat për mjeket, flas për mesataren se ata kanë pastaj shkallë të ndryshme, të rritet me 135 euro të tjera në muaj.
Në ndërkohë kantieri i shëndetësisë është aktiv në të katra anët e territorit. Ka përfunduar dhe po kolaudohet ndërtimi i godinës së re të maternitetit Mbretëresha Geraldinë. Është rindërtuar spitali bashkiak i Kavajës. Është rindërtuar spitali rajonal i Lezhës, është rindërtuar i kardiologjisë në QSUT, është rindërtuar spitali i psikiatrisë së fëmijëve në QSUT, është rindërtuar spitali ditor i Peqinit, është rindërtuar shtëpia e të moshuarve në Libohovë. Ndërkohe që janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale parkimi dhe struktura akomoduese në QSUT që do të mbyllet besoj në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësisht të gjithë jetën e brendshme të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza duke hequr të tëra makinat nga territori i qendrës spitalore i cili do bëhet një park i madh dhe i bukur, qe do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët, ndërkohë që të gjitha automjetet përveç natyrisht automjeteve të punës apo autoambulancat, do të kenë vendin e tyre në këtë parkim të madh multifunksional të qendrës.
Ka filluar rindërtimi i spitalit të djegie-plastikës. Ndërtimi i godinës së laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërtimi i qendrës backup në Vlorë, ndërtimi i disa godinave të reja në Elbasan. Ndërtimi i disa pavijoneve në spitalin rajonal të beratit. Rindërtimi i shërbimit të patologjisë në spitalin rajonal të Vlorës. Rindërtimi i dy materniteteve në Shkodër dhe në Fier. Rindërtimi i godinave qendrore të spitaleve të Lushnjës, Pogradecit dhe Gjirokastrës. Nuk po iu hyj në listën e pajisjeve që janë në një numër të madh, pajisjeve të reja, por dua të them që gjithë këto investime mbështesin sigurisht atë që mbetet kryesorja, përmirësimi domethënës i kushteve të punës të mjekeve dhe infermiereve dhe më vjen shumë mirë që më në fund po lexojmë që një rënie kuptimplotë të tendencës së ikjes së mjekëve dhe të zgjedhjes së parë vajtjen jashtë shtetit. Tendenca ka filluar të ktheje dhe kjo është shumë pozitive.
Dy fjalë për mbrojtjen. Dy fjalë për mbrojtjen sepse mbrojtja ka hyrë në një fazë krejt të re si rezultat i kontekstit të ri gjeo politik pa diskutim dhe ky vit ka qenë viti i fillimit të rilindjes së industrisë sonë ushtarake që siç e dini u çmontua totalisht në fillim të viteve ’90 sepse na u tha që s’keni nevojë për këto se na keni ne. Ndërkohe që sot është shumë e qartë që të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë. Në ndërkohe që kemi parë me pozitivitet të madh edhe një tendence në rritje të qasjes së të rinjve ndaj Forcave tona të Armatosura ku objektivi është që personeli aktiv të rritet me 30% deri në fund të këtij mandati. Janë 721 rekrutë të rinjtë që i janë bashkuar FA vetëm këtë vit.
Ndërkohë kemi siç e dini ose siç mbase nuk e dini, por që edhe ky është një ndër ato mijëra lajme që nuk bëjnë lajm, ushtrinë më të mirë paguar në rajonin tonë, përfshirë edhe Serbinë. Sa për dijeni dhe do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen me paga të ushtarakëve tanë sepse ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e ushtrive të NATO-s përsa i përket mbështetjes financiare dhe këtë duhet ta dinë të rinjtë që i afrohen ushtrisë për të bërë një karrierë ushtarake. Ky vit që hyn, na gjen me një sistem raketor Javelin që e kemi tanimë këtu në Shqipëri, falë bashkëpunimit me SHBA; na gjen me 3 anije patrulluese që i kemi dhuratë nga simotra jonë Italia; na gjen me radarë të vëzhgimit ajror falë bashkëpunimit me Francën dhe nuk po zgjatem se ka dhe te tjera gjëra, por ajo që mbetet ambicia kryesore, Shqipëria një vend prodhues kapacitetesh ushtarake që jo vetëm t’i përdorë këto kapacitete për nevojat e veta, por edhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake dhe prandaj ky vit është vit historik për ushtrinë tonë sepse janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes ‘’Made in Albania’’.
Kemi krijuar një kompani shtetërore e cila ka nënshkruar 6 partneritete me kompani vendase dhe të huaja për prodhimin e armatimit, municioneve. Më në fund do të prodhojmë uniformat këtu në vendin tonë dhe do ta bëjmë përmes këtij sistemi vendin tonë, pikë referimi për të prodhuar uniformat dhe për të tjerët, gjë që nuk duhet të çuditet asnjë njeri sepse nuk e di për shembull a e keni dëgjuar, po ushtria suedeze qep uniforma, një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri, por jo në një sistem si ky që kemi ngritur por në marrëveshje kontraktuale në një manifakturë private këtu në Shqipëri. Kështu që kapacitetet i kemi. Kjo do të jetë dhe një mundësi për ata që janë stërvitur gjatë në këto procese që t’i qasen këtij segmenti të industrisë sonë të re. Do të prodhojmë mjete të blinduara dhe mjete të emergjencës civile, tani që flasim në Shqipëri, po prodhohen një sërë mjetesh në bazë të kontratave me disa shtete të tjera, flasim për auto-ambulanca, flasim për mjete patrullimi policorë e kështu me radhë; do të prodhojmë dronët luftarakë dhe do të prodhojmë dhe sistemet anti-dronë dhe porositë e para janë kryer, ndërkohë që 6-mujorin e parë të 2026 do të shihni me siguri dhe produktet e para, ndërkohë që ne vazhdojmë punën për të realizuar kontrata të tjera për industrinë detare dhe industrinë ajrore.
Rritja e buxhetit të mbrojtjes është historike por kjo dihet se jemi edhe pjesë e NATO-s kështu që në këtë pikë nuk jemi të veçantë, kemi bërë atë që po bëjnë të gjithë. Nga ana tjetër kemi vazhduar të vëmë rregull në prona shtetërore. Është shumë interesant në këtë pikë sepse ‘’tenxheret ziejnë’’ për gjëra nga më të ndryshmet që s’kanë asnjë lidhje me realitetin dhe na akuzojnë për një kompani shtetërore që ne e kemi ngritur për shtetin dhe e kemi ngritur këtë kompani shtetërore për shtetin në mënyrë që në çdo lloj qasjeje nga të huajt në Shqipëri, shteti ynë të marrë pjesën e vet. Shteti pjesën e vetë, jo siç ndodhte më përpara, por ‘’tenxheret ziejnë’’.
Dua të shtoj që ndërkohë kemi një sërë investimesh në mbarë vendin; nga Burreli, Kukës, Kuçovë, Pashaliman, Porto Romano dhe vitin e ardhshëm do të përqendrohemi në ri ngritjen e shkollës së Aviacionit Shqiptar në Vlorë dhe në zgjerimin e kampusit të ri të FA. Por po ashtu edhe në zgjerimin e kompleksit muzeal të Forcave të Armatosura. Mbrojtja civile ka qenë këtë vit përsëri protagoniste dhe do të vazhdojë të jetë për shkak se siç e dini, zjarret janë bërë një problem i madh që shkon duke u thelluar për gjithë botën dhe ndërkohë, ne kemi vazhduar të punojmë për të rritur kapacitetet e mbrojtjes sonë civile në të gjitha drejtimet. Po ashtu, kemi vendosur edhe fondin për të blerë dy avionët e parë zjarrfikës për Republikën e Shqipërisë. Nuk po zgjatem më tutje, po qëndroj vetëm një moment tek siguria kibernetike.
Patëm, siç e dini një sulm shumë të egër nga bota e terrorit kibernetik që për fat të mirë nuk arriti dot ta shkatërronte infrastrukturën tonë digjitale. Sot jemi një nga vendet me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike, sa për dijeni dhe nuk e them unë këtë, por e thonë të gjitha institucionet përkatëse të sigurisë në Europë dhe kemi marrë vlerësime goxha domethënëse për këtë, sepse kemi investuar në mënyrë shumë inteligjente në mbrojtjen kibernetike dhe ndërkohë që flasim, si çdo vend tjetër edhe Shqipëria sulmohet e sulmohet, por asnjë sulm deri në momentin që flasim, nuk ka arritur të penetrojë murin mbrojtës që i është ngritur infrastrukturës tonë publike digjitale.
Këto janë pak a shumë ato që doja të prekja duke e mbyllur me turizmin, këtë shtjellim, pastaj sigurisht që ka dhe fusha të tjera për të cilat mund të flasim rrugës, që nga siguria në kuptimin e punëve të brendshme, që besoj edhe këtë vit ka shënuar nga pikëpamja e fakteve, jo e ‘’tenxhereve’’, kuptohet, një rritje pozitive; tek bujqësia dhe me radhë, por tek turizmi kemi një hop tjetër domethënës, krahasimisht me vitin 2024, ku shënohet një rritje që i afrohet 7% që është një rritje domethënëse përsa i përket numrit të vizitorëve të huaj flas, nuk flasim për pasaportat shqiptare.
Të ardhurat nga turizmi kanë qenë domethënëse. Në 9-mujorin e parë ato vlerësohen rreth 4.4 miliardë në euro; kemi pasur një rritje të konsiderueshme të hapësirës së plazheve publike me rreth 18% plus, krahasuar me një vit më parë, ose 1.1 milionë metër katrorë më shumë plazhe publike të shtuara. Nga 523 parcela ranore publike kemi shkuar në 1014 dhe në ndërkohë kemi vazhduar punën tani që flasim për sezonin e ardhshëm me disa risi të tjera pozitive në këtë drejtim.
Nuk po zgjatem me gjithë këto që kam të shkruara këtu, janë shumë. Tundimin e kam shumë të madh që t’i lexoj që të gjitha që t’i mbaj këtu një 6 orë, siç keni mbajtur ju Shqipërinë 12 muaj, me gjithë lajmet, me gjysmë të vërteta që janë pjesa më e madhe e produktit, po nuk jeni ju që i prodhoni natyrisht, ju thjesht i transmetoni. Por nuk po zgjatem dhe po ndalem këtu në mënyrë që t’ju jap juve mundësinë për të bërë pyetje dhe që edhe publiku të ketë mundësi të bëjë pyetjet e veta. Kështu që shpresoj që të kem qenë një surprizë pozitive për ju, se prisnit që t’ju mbaja shumë më gjatë me këto shifra dhe fakte. Këtu s’ka asnjë gjysmë të vërtetë, këtu janë të gjitha fakte.
Kështu që, si gjithmonë, do t’i japim fjalën veteranes së grupit tuaj, e cila do të bëjë pyetjen e parë. Nga një pyetje do ta thosha unë, se shikoni sa jeni ju dhe sa janë të tjerët. Nga një pyetje dhe ndiqni njëri-tjetrin dhe nëse pyetja një pyetje ezaurohet nga një koleg, bëni një pyetje tjetër.
– Zoti Rama a e konsideroni ju SPAK-un opozitën tuaj të vërtetë, opozitën tuaj reale dhe kur folët disa javë më parë për një reflektim serioz mbi kufijtë mes pushteteve, a kishit parasysh që gjatë vitit të ardhshëm, kur mbushen 10 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të ketë një ndërhyrje në ligjet kryesore në arkitekturën e drejtësisë së re? Dhe duke folur për opozitën, nga janari do të fillojnë protestat e përditshme poshtë zyrës tuaj, demokratët do të kërkojnë dorëheqjen tuaj, zoti kryeministër do t’i merrni në konsideratë këto kërkesa? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Tani më spekulove se bëre shumë pyetje brenda pyetjes. Tani meqë fjalën dhe kryefjalën dhe kallëzuesin dhe kundrinorin ju e keni SPAK, SPAK, SPAK dhe duke folur për vitin e Shqipërisë, pyetjen e parë ju e keni për SPAK-un unë do t’ju përgjigjem natyrisht, nuk do i shmangem asnjë pyetjeje, por duhet t’ju them këtë. SPAK-u nuk është opozita e qeverisë, SPAK-u është një institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga kjo forcë qeverisëse, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse në sensin që të tjerë janë betuar dhe stërbetuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrijnë dot, sepse votat i kemi ne, në këtë sens i garantuar dhe është një institucion i cili bën punën e vet, si të gjitha institucionet e tjera. Kështu që nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita e qeverisë, që është opozita politike, bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë. Dhe natyrisht të 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin edhe e ziejnë dhe gatuajnë 700 lloj gjellërash të ndryshme, duke bërë diçka që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, ka ndodhur edhe në vende të tjera sa të duash, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut, që shurdhon publikun me presionin e vet dhe që dizinformon publikun thellësisht, thellësisht. Prandaj thonë që gjysmë e vërteta është edhe gënjeshtra më e madhe, sepse që ne jemi këtu bashkë kjo është e vërtetë, apo jo? Dhe një lajm sipas të cilit, kur kamerat u fikën, unë bëra një sherr shumë të madh me ty bëhet pjesë e të vërtetës që ne ishim bashkë, apo jo? Dhe prandaj gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe, sepse ka një pjesë të vërtetë, por pjesa tjetër është një gënjeshtër. Dhe më lejoni t’ju them që është një neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv, gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, nuk dinë të bëjnë opozitën e qeverisë, nuk dinë ta mundin Partinë Socialiste. Kështu e shoh unë këtë gjë dhe askush nuk përpiqet të bëjë asnjë analizë lidhur me cila është e vërteta në të gjithë punën e SPAK-ut, pse pikërisht se e vërteta është krejt ndryshe nga kjo që thuhet, SPAK-u nuk është opozita e qeverisë dhe cilat janë anët pozitive dhe anët negative të punës së SPAK-ut, si të gjitha institucionet e tjera, përfshirë edhe qeverinë. Asnjë nuk e bën këtë analizë, gjë që sjell pastaj një çoroditje shumë të madhe të opinionit publik. Kjo është përgjigja ime, nuk kam përgjigje tjetër.
Për sa i përket pastaj protestave që bëhen poshtë penxheres këtu i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, me sa kuptoj unë. Unë në zyrë dhe Partia Socialiste në qeveri dhe të tjerët poshtë penxheres time në rrugë. Kjo është zgjedhja e tyre, nuk kam unë asnjë problem me këtë. Siç e patë në liritë njerëzore Shqipëria është në një vend goxha dinjitoz në klasifikimin e përgjithshëm dhe kjo është pjesë e lirive, ça problemi kam unë me këtë.
– Zoti kryeministër, gjatë këtyre viteve ju keni vendosur një standard, kur keni thënë se Partia Socialiste nuk kthehet zyrë avokatore e atyre të cilëve kanë probleme me drejtësinë. Çfarë ju bëri të ndryshoni nga ky qëndrim kur vjen fjala për zëvendës kryeministren Belinda Balluku dhe tashmë që anëtarët socialistë në Këshillin e Mandateve kanë në dispozicion 16 mijë faqe të cilat i ka dërguar bashkë me relacionin SPAK-u. A e keni një bindje se janë të mjaftueshme këto prova për të realizuar kërkesën që ju ka vënë SPAK-u në tavolinë? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Tani, më fal të përgjigjem me pyetje. Keni dëgjuar ndonjë fjalë të vetme avokatie për rastin konkret nga ana jonë? Pyetje e kam këtë, nuk besoj. As unë dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit, por ky rast ndryshon nga rastet e tjera sepse ka ardhur tek ne, pra nuk është një rast në rrugën e pushtetit gjyqësor të cilin si shumë raste të tjera, pushteti gjyqësor në këtë rast Prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Apo jo? Dhe kur rasti vjen në derën tonë, flas të pushtetit legjislativ, atëherë pushteti legjislativ duhet të shprehet. Nuk është noter i Prokurorisë. Këshilli i Mandateve nuk është një zyrë noterie, është një kuazi gjykatë quhet dhe Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. I merr, i sheh. Dhe nuk do doja në fakt ta kishe përmendur atë 16 mijë faqe me prova se ajo më provokon. Më ka provokuar që ditën e parë. Po te isha unë në Këshillin e Mandateve do tu thosha atyre që erdhën çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për Parlamentin e Shqipërisë, për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova. E dini ju çfarë janë ato 16 mijë faqe? Pyes për kuriozitet, ju e dini çfarë janë 16 mijë faqet që janë aty? Nuk janë absolutisht produkt i hetimit se s’ka si të jenë produkt i hetimit.
Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime. Domethënë arkivi i Ministrisë futur brenda.
E kemi bërë paktin bashkë apo jo. Mirësjellja jote është garanci për ty që unë do i përgjigjem pyetjes tende pa asnjë hezitim. Mos më ndërhyj se nuk jemi në miting këtu.
16 mijë faqe janë një vandak me dokumenta zyrtar dhe kjo është afër mendsh. S’ka nevojë fare ta shohësh. USB-në e sjellë nga Prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe nuk e ka tërhequr as ministrja, avokati. Që të jemi shumë të qartë. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë “i kanë nxjerrë këta ato”.
Kështu që, nuk kemi të bëjmë këtu me një ndryshim qëndrimi. Këtu kemi të bëjmë me një qëndrim të duhur shumë korrekt nga ana jonë sepse rasti vjen në Parlament dhe përpara se të vijë në Parlament rasti erdhi, u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht, me një kërkesë skandaloze për pezullim, e pa ndodhur në historinë e botës. Tani mund ta them me plot gojën sepse e kemi kërkuar gjithandej. Nëse ka një të dytë, nuk ka. Nuk ka ndodhur as në Europë jo e jo, por nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, që të mblidhen bashkë një prokuror dhe një gjykatës dhe të thonë pezullohet ky ministri se kështu kemi vendosur ne. Kështu që erdhi aty një rast dhe duhet mbajtur një qëndrim patjetër. Mbajtëm qëndrim institucional. Shkuam në Gjykatën kushtetuese dhe për këtë në Parlament duhet të mbaja patjetër qëndrim. Nuk diskutohet, por meqë u bë pyetja e dytë për këtë prapë dhe meqë pyetja e tretë jam i bindur do jetë prapë për këtë, flas për temën SPAK-u. Shqipëria ka kaq shumë gjëra të tjera që ndodhin dhe që bëhen në ndërkohë që po ju them disa gjëra, që nuk i gjen në asnjë nga tenxheret politike dhe mediatike dhe që njerëzit nuk i dëgjojnë. Po ju them që Shqipëria është vendi më skandaloz i gjithë Komunitetit të Këshillit të Europës. Nuk e them unë këtë, e thonë shifrat të cilat kanë alarmuar Komisionin për Parandalimin e Torturës së Këshillit të Europës. Dhe këtu nuk flasim për SPAK, flasim për gjithë sistemin tonë, për mënyrën si funksionon drejtësia jonë. Jemi në fund të listës me një diferencë nga të tjerët për paraburgimin, pra për burgosjen e njerëzve pa gjyq. Dhe numri i njerëzve që gjenden sot në burg në Shqipëri pa qenë akoma të dënuar të cilët në kuptimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut është më i madh se numri atyre që janë në burg të dënuar. Pra këta janë të pafajshëm sipas Kushtetutës dhe sipas Konventës së të Drejtave të Njeriut, por janë në burg.
E dini ju sa janë këta? Nuk e dini. Sepse tenxheret fjalën burg, fjalën vjedhje, fjalën hajdut e kanë si kripën, piperin edhe salcën në çdo lloj gjelle. Ne kemi 4492 qytetarë në burgjet shqiptare. A e besoni dot ju që nga këta vetëm 1895 janë të dënuar? Çfarë është kjo? Nuk po hyj tek tjetra. Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve. Jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua nga Këshilli i Europës, por nuk po hyj këtu. Po ju them që kemi 1895 të dënuar ndërkohë që kemi 4492 të burgosur. Pra në Shqipëri falë edhe jush tenxhereve politike, mediatike nuk ka të pafajshëm, por ka të dënuar para se të dënohen qysh në momentin që dyshohen. A kuptoni çfarë është kjo për këtë vend që e ka kaluar një herë këtë traumë? Juve fatmirësisht keni qenë shumë të vegjël ose s’kishit lindur atëherë, por e ka kaluar një herë këtë traumë ky vend. Dhe çfarë tregon kjo shifër? Kjo shifër tregon që në Shqipëri probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dyshuar është më i lartë sesa probabiliteti që ti të shkosh në burg si fajtor. Kjo është shifra dhe ky është vetëm njeri nga faktet edhe pse është më rrëqethësi.
Këshilli i Europës ka bërë më pas një dokument të tërë për paraburgimin. Për çdo njeri që beson tek dinjiteti i tjetrit, ai dokument është alarm. Sepse në fund të ditës sensi i drejtësisë është që më mirë 100 fajtorë jashtë sesa një pafajshëm brenda. Ky është sensi i drejtësisë demokratike. Nuk është që kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër a jeni apo jo fajtorë.
Ça ju mbetet aty njerëzve që kalojnë në këtë kalvar të llahtarshëm Rama: Paraburgimi alarm nga KiE dhe nuk po flasim për këta që janë në kalvarin e “tenxhereve”. Flasim për ata me të cilët “tenxheret” nuk merren fare, njerëz të zakonshëm të këtij vendi. Kalojnë atë kalvar dhe në fund fare ose nxirren se iu ikin të gjitha afatet e paraburgimit dhe janë shumë nga këta, ose dalin të pafajshëm. Ça ngelet? Ça është kjo histori? Si qenka kjo që në një vend në mes të Evropës që do të bëhet nesër një vend i BE, individi të mos ketë të drejtën e një gjyqi? Ça është kjo?
Dhe çfarë thotë Këshilli i Evropës, nuk e them unë? Thotë që në Shqipëri vendosen masa sigurimi ekstreme pa arsyetim të mirëfilltë sepse duhen vendosur. Dhe përdoren rëndom-thotë- shprehjet “përbën rrezik për prishje provash, përben rrezik për ikje”. Këto janë muhabete kot. Çdo lloj mase duhet argumentuar specifikisht. Nuk është automatike, që meqë Muhamet Veliu është shefi i sektorit, atëherë ky mund të të intimidojë vartësit e vet se është “shef”. Jo! Duhet të thuash konkretisht për Muhamet Veliun, çfarë provash ke ti, çfarë dyshimesh ke ti për këtë.
Dhe nuk japin asnjë të dhënë, fare, zero. Hiç. Pastaj vijmë të graviteti i veprës dhe këtu do ta mbyll këtë përgjigje të gjatë për ty, se do pres natyrisht pyetjet e tjera. Por vijmë tek graviteti i veprës dhe dua t’ju jap prapë pak shifra që janë, këto janë vërteta. Mund të ketë ndonjë pasaktësi, por janë të vërteta, nuk janë gjysmë të vërteta, për t’ju treguar juve, atyre që janë të interesuar sesa e gënjeshtërt, sesa e shëmtuar, sesa e ligë është gjithë kjo tymnajë, sipas së cilës Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit. Dhe po i referohem tani rasteve të institucioneve që merrem me korrupsionin. Korrupsioni në radhë të parë është një vepër më vete, pra është e definuar, jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga prokuroria speciale ka bërë korrupsion. Ka dhe vepra të tjera.
Shpërdorimi i detyrës për shembull, është një vepër, të cilës iu kthye dhe vetë BE së fundmi, sepse është një term ku futen, “thes i madh” i thonë këta këtu. Futen njerëzit kollaj fare, me kollajllëkun më të madh, sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e “tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapak’’ për burg, burg, burg, shpërdorimi i detyrës është në kollajllëkun më të madh dhe BE iu kthye tani me kërkesë të Gjermanisë, jo vetëm të Italisë se Italia e kërkonte prej kohësh. Dhe ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar këtë nocion. Pse? Sepse kushtetuta thotë “janë 3 pushtete të pavarur nga njëri-tjetri’’. Pra drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi, por edhe ekzekutivi është i pavarur nga drejtësia. Dhe cila është pavarësia ime? Cila është pavarësia e një kryeministri, e një ministri apo e një funksionari të lartë? Është pavarësia për të marrë vendime. Tek marrja e vendimeve nuk vjen dot një prokuror të thotë “pse ti e vendose kështu dhe nuk e vendose ashtu” . Kjo është një katastrofë dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im, është një vendim, i cili ka një prapavijë të qëllimshme, jo pa dashje, të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm në mënyrë të vetëdijshme, këtu unë nuk jam i pavarur. Këtu është drejtësia e pavarësisë që vjen tek unë. Këtu ndahen këto. Tani, qysh nga fillimi i këtij kapitulli të drejtësisë speciale, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë natyrisht funksionarë të niveleve të ndryshme? E dini ju sa raste nga këto 37 i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë të kësaj qeverie, të kësaj maxhorance?! Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen më periudhën e mëpastajme. Tani, në rastet për të cilat po flasim, kemi nga të gjitha, kemi për shembull dënim për prerje pylli të një kryetari bashkie. Ai sot e ka mbaruar dënimin dhe unë mund të flas për këtë. Është një dënim skandaloz. Kryetari i bashkisë të Fushë-Arrësit ka hapur një rrugë për komunitetin, ku janë prerë disa pemë. Nuk e di numrin e tyre. Ka bërë burg për prerje pemësh. Jo se të presësh pemë, nuk është krim, por pa iu lodhur me detaje, rasti është turp.
Ka dhe raste të tjera që nuk kanë lidhje me korrupsionin fare, asgjëkundi dhe që hyjnë tek këto raste dhe nuk po dua t’i komentoj. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Pabarazia në tendera është vepër tjetër, nuk është korrupsion, është tjetër. Është vepër patjetër që parashikohet si një vepër penale, nuk diskutohet, por e përmbledhur, çfarë duhet të them? Dua të them këtë që, a është e mundur që “ky vendi më i korruptuar në botë” dhe ky vendi ku korrupsioni sipas “tenxhereve” ka arritur kulmin sepse ushqehet kjo tezë nga mëngjesi deri në darkë, me të gjitha gjysmë të vërtetat e mundshme?
Ça do të thotë mesazhe? Mund të ma thoni ça do të thotë mesazhe? Që kur mesazhet janë prova?
Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave që ngrihej turra e druve se “ky i tha atij ashtu” dhe “ai i tha atij tjetrit ashtu” – që kur? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër që lidhet me “kush tha”, “çfarë tha” janë pjesë e një procesi, nuk diskutohet nuk e përjashtoj unë këtë, por parafytyroni vetëm kaq – Ça ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave, kur dikush të dalë i pafajshëm? Për ça i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja? Për çfarë? Kush ia kthen atij njeriu mbrapsht jetën? Prandaj, drejtësia demokratike ka vendosur kufi, prandaj në drejtësinë demokratike nuk lejohen shumë nga ato gjëra që ndodhin këtu dhe unë nuk fajësoj mediat për këtë, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Si mundet që ky vend të jetë ky dhe në të njëjtën kohë Sigma, e cila bën analiza faktuale, nuk merret me mesazhe, se në Shqipëri bëhen mijëra prokurime, mijëra. Në Shqipëri bëhen mijëra ndërveprime, miliona ndërveprime, në fund të ditës 37 raste për 12 vjet ndërveprime kur iu thashë hyjnë lloj-lloj rastesh janë një numër i arsyeshëm, krejt i arsyeshëm për të goditur fenomenet.
Ndërkohë që, deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet, kemi procese shumë të zvarritura dhe kemi në ndërkohë edhe Strasburgun që ka evidentuar gjëra shumë të rënda kur dikush ka vajtur atje, mbasi ka kaluar këtë kalvar. Kështu që, jo çdo gjë që mendohet edhe nga dëshira e mirë për të luftuar me këto fenomene, për të luftuar korrupsionin shkon në atë drejtim.
Përkundrazi, kjo është e vërteta, s’ka të vërteta të tjera. Është e vërteta e drejtësisë demokratike, nuk mundet dot të bëhet Shqipëria, si në kohën e Pleniumit të katërt – “Kap edhe përplas njerëz nga një mur te tjetri”, çorodit dynjanë me llafe, “jo se thuhet kështu”, “jo thuhet ashtu”, “Do dalë ky”, – Ça do me thënë kjo?.
-Kryeministër, për shkak se SPAK-u është duke hetuar zyrtarë të lartë, si në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, ashtu dhe tek AKSHI, e gjithë opozita është bërë bashkë dhe iu kërkon dorëheqjen, qeveri teknike ose zgjidhje të parakohshme apo do të ketë një qeveri të re nga ana juaj? Cila nga këto do të ndodhë në janarin e 2026?
Kryeministri Edi Rama: Tani më fal një sekondë, se nuk u kuptuam. Kjo është pyetje që e bën opozita, apo është pyetje që e bëni ju për interesin e publikut. Se nuk besoj se publiku e shtron fare këtë pyetje, ndërkohë që ajo që po bëjmë sot është konferenca e fundvitit dhe ky vit është viti më i suksesshëm i Shqipërisë. Edhe këtë sukses nuk e solli koha. Këtë sukses e solli kjo qeveri, kjo forcë qeverisëse, kjo shumicë.
Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shqipëria është vendi ku këtë vit që po mbyllim, u mblodh tërë Europa politike demokratike në sheshin Skënderbej. Erdhën në një vend të korruptuar mendoni ju? Jo! Jo! Por nuk morën opinionin e 700 tenxhereve politike dhe mediatike kur erdhën, kjo po, kjo është e vërtetë. Si mendoni ju Komisioni Europian e fal një vend që do të ishte jo ky që thonë tenxheret, po do të ishte 1/10 e këtij, kurrë, kurrë, asnjëherë. Dhe e kam thënë gjithmonë dhe përsërisë: – Nëse po ndodh sot, ky proces është meritë në radhë të parë e kësaj force politike. Juve i keni parë reagimet e tjerëve kur ju preket floku, se ça thonë. – Po s’keni dëgjuar ndonjëherë nga unë, e s’keni për të dëgjuar ndonjëherë, jo sharje dhe akuza, po as fjali që shkojnë në drejtim të goditjes së reputacionit dhe madje edhe të presionit të kërcënimit të këtyre organeve, s’keni dëgjuar ndonjëherë. Ky është një proces i pashmangshëm, i domosdoshëm, që ka gjithë problematikat e veta dhe kaq. Ça është ky muhabet? Do japësh dorëheqjen?
Ne morëm 83 mandate në qershor, apo e keni harruar? Hë pra çfarë dorëheqje? Dorëheqje për çfarë? Për cilën? Dorëheqje për AKSHI-n? AKSHI është një institucion krenarie për ne që të jemi shumë të qartë bashkë, krenarie, jo për të ulur kokën, po për të qenë krenar. Është një institucion për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, keni qenë dhe ju s’keni qenë kaq të rritur, po s’keni qenë dhe të vegjël. Kur duhet të shkoni të mbani radha për çdo lloj letre, edhe për të marrë një certifikatë të gjendjes civile dhe kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu, se s’kishin shans të merrnin një copë letër atje jashtë, se s’kishin nga e merrnin. 620 miliardë lekë, që janë 620 milionë euro ka kursyer AKSHI për shqiptarët, falë digjitalizimit, dhe këtë nuk e them unë ky është studimi ndërkombëtar, 7600 vite pritje në radha e di se janë 7600 vite pritje në radhë, janë 250 rrotullime rreth tokës. Parafytyroni një radhë shqiptarësh …..
