Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, 12 shkurt, se duhet bërë diçka që u reziston kohërave referuar godinave apo infrastrukturës në tërësi për institucionet e drejtësisë.
“Për fat të keq trashëgimia në këtë drejtim është goxha problematike, kemi shumë institucione që janë qiramarrës në godina dhe hapësira private.
Kemi filluar një proces që do na çojë drejt zgjidhjes përfundimtare me Korporatën Shqiptare të Investimeve, duke marrë pronat shtetërore që janë ende në Tiranë apo vende të tjera, duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik”, tha ai, në Konkursin Ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë.
Tha se disa projekte lidhur me infrastrukturën administrative të Republikës së Shqipërisë janë drejt finalizimit.
“Ne kemi ndërtuar një rrjetë njerëzish të cilët kanë formimin e duhur profesional dhe funksionojnë si një tërësi për të zhvilluar teknologjinë në institucion”, u shpreh kreu i qeverisë.
Theksoi se “nuk mund të ndërtohet një sistem teknologjik i pavarur” në këto institucione, duke shtuar se “janë djegur fonde të tëra”, pikërisht prej mosbashkëpunimit ndër vite.
“Të gjithë e marrim ujin nga i njëjti burim, por secili e hap dhe e mbyll rubinetin sipas nevojës së tij. Nuk mund të ketë secili hidrocentralin e vet”, argumentoi Rama.
Njoftoi se Qendra e re e Drejtësisë, përbën një investim të jashtëzakonshëm, dhe se nëse gjithçka shkon mirë do të nisë puna për ndërtimin në fillim të vitit 2028.
“Është një financim i madh. Shpronësim, plus investim, gjithçka duhet për ta mobiluar etj etj.. Çdo prokuror e gjykatës do të ndihet njeriu më i nderuar kur hyn brenda, edhe kur sheh muret. T’ja thonë çdo mëngjes se je i privilegjuar nga ky shtet dhe kjo republikë sepse është privilegj për punën që bën.
Për ne, është një përpjekje që nuk ndalet pavarësisht surprizave që na bëni herë pas here, por janë pjesë e një sistemi të ri që kërkon kohën e vet.
Ky është edhe rasti që të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre”, tha me ironi kryeministri.
Prokurori i Përgjithshëm veçon godinën më problematike
Kryeprokurori Olsian Çela, i pranishëm në këtë tryezë diskutimi, vuri theksin te problematikat te Prokuroria e Shkallës së Parë të Tiranës. Në përgjigje, Rama bëri një parashikim se sa mund të zgjasë i gjithë procesi për këtë projekt të madh.
Çela: Në 2 a 3 vite nuk do të mund të funksionojë normalisht, duhet marrë në konsideratë për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme. E vlerësoj që deri në shkurt do bëjmë ca përshtatje për disa nga kërkesat tona. Dua t’ju falenderoj për procesin.
Rama: Nuk diskutohet që ky projekt kërkon disa vite, nëse gjithçka shkon sipas planit,për të qenë shumë realist nga përcaktimi i fituesit te projekti i detajuar, do të duhet të mendohet që fillimi i 2028-ës si momenti kur do fillojë ndërtimi. Pa 3 vjet të mira, ajo nuk përfundon. Sigurisht që mes ditës së sotme dhe asaj që po projektojmë është një 5 vjeçar pa diskutim.
“10 mln euro qira në vit, si qeveri”
“Në mos gaboj, ne si qeveri, si pushtet ekzekutiv, paguajmë 10 milion euro qira në vit. Në 2 vjet bëhen 20, në 3 vjet bëhen 30. Janë funksione për t’u kryer, por shpresoj dhe uroj se duke ndërtuar këto zyra të mundemi më në fund që të paktën qeverinë të mos e kemi me qira, se është qesharake.
Duhen gjetur mundësinë për të përmirësuar kushtet që janë sepse për të krijuar të rejat duhet kohë. E njëjta gjë për sistemin tuaj, nuk mund të jetë me qira”, iu tha numri një i kabinetit qeveritar përfaqësuesve nga institucionet e drejtësisë.
