Ministria e Financave ka publikuar këtë të premte, më 18 korrik, një përmbledhje paraprake të performancës të të ardhurave dhe shpenzimeve për 6-mujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat paraprake mbi performancën fiskale për periudhën Janar–Qershor 2025 tregojnë një ecuri pozitive të të ardhurave buxhetore, duke reflektuar përmirësim të mbledhjes së të ardhurave si dhe një disiplinë të mirë në realizimin e shpenzimeve publike.
Të Ardhurat: Rritje krahasuar me 2024-ën
Konkretisht, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, të ardhurat totale në buxhetin e shtetit arritën në rreth 366 miliardë lekë, që përbën një realizim 100.6% të planit të periudhës dhe një rritje prej 6.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo përfaqëson një rritje prej 22.8 miliardë lekësh. Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 6 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 48.3% të planit vjetor.
Kontributi më i madh në rritjen e të ardhurave erdhi nga:
Tatimet dhe Doganat: Arkëtuar 242.3 miliardë lekë, me rritje 9.1% krahasuar me Janar-Qershor 2024. Pra rreth 20.2 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
-Të ardhurat nga TVSH në import: 75.9 miliardë lekë (+0.9%)
-Të ardhurat nga akciza: 32.1 miliardë lekë (+11.2%)
-Të ardhurat nga renta minerare: 1.1 miliardë lekë (78.1% e planit)
-Të ardhurat nga taksat doganore: 4.5 miliardë lekë (+4.2%)
Administrata Tatimore: Arkëtuar 128.7 miliardë lekë, një rritje me 14.7% krahasuar me vitin e kaluar.
-TVSH neto në vend: 33.2 miliardë lekë (+20.8%)
-Tatimi mbi fitimin: 33.2 miliardë lekë (+2%)
-Tatimi mbi të ardhurat personale: 40.8 miliardë lekë (+26.6%)
-Taksat nacionale: 21.5 miliardë lekë (+7.8%)
Fondet Speciale (sigurime shoqërore dhe shëndetësore): 87.6 miliardë lekë, me rritje 12.5%, duke realizuar 104.8% të planit të periudhës.
Shpenzimet: Rritje e kontrolluar dhe sipas planit
Shpenzimet totale publike arritën në 332.5 miliardë lekë, duke realizuar 99.8% të planit për periudhën Janar–Qershor dhe me një rritje prej 14.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 41.2 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korente: 299.6 miliardë lekë, rritje me 13.2%, duke realizuar 99% të planit të periudhës.
Shpenzimet kapitale: 32 miliardë lekë, rritje me 20.8% dhe realizim në masën 108.1% të planit.
Suficiti: Në rënie, por ende pozitiv
Niveli i suficitit buxhetor për gjashtëmujorin rezultoi në 33.5 miliardë lekë, një vlerë më e ulët me 35.3% ose 18.3 miliardë lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Megjithatë, ky mbetet një tregues pozitiv për menaxhimin fiskal, duke pasqyruar ruajtjen e balancës midis të ardhurave dhe shpenzimeve./