if (window.location.pathname === "/" || window.location.pathname === "/index.php") { setTimeout(function(){ location.reload(); }, 15000); // 15 sekonda }
Youtube klan thumbnails 2025 09 01t083138.956 1024x576

Sot, 1 shtator, arti shqiptar humbi një nga ikonat e tij më të mëdha. Dhimitër Anagnosti, regjisor, skenarist dhe artist i jashtëzakonshëm, la gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare dhe në zemrat e publikut.

Po kush ishte Dhimitër Anagnosti?

Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno të Vlorës më 23 Janar 1936 dhe është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954-1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.

Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Ai është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 Prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 Dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar”, Roza Anagnosti.

Kjo e fundit e kujtonte kështu takimin e tyre të parë:

Takimi i parë me Dhimitrin ka qenë në kinoprova, ku ai ishte në kamera, por syri i kameras e fiksoi mesa duket… Pas këtij filmi ne u fejuam. Dhe tek filmi “Komisari i dritës” ne ishim të sapomartuar dhe Dhimitri ishte regjisor i filmit. Anagnosti për mua është një idhull, jo vetëm si bashkëshort, por edhe si koleg. Ai është një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nuk gjej fjalë për të… Edhe tani ai më nxit të vazhdoj karrierën, ka vlera të jashtëzakonshme dhe është shumë modest.

Si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në 85-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, dekoroi regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Dhimitër Anagnosti mbetet një ikonë e kinemasë shqiptare, një artist dhe mentor i paharrueshëm, i cili ka lënë gjurmë të thella në kulturën dhe artin e vendit.

Veprat artistike të Dhimitër Anagnostit

Njeriu kurrë nuk vdes (1961)

Komisari i dritës (1966)

Duel i heshtur (1967)

Plagë të vjetra (1968)

Parafabrikatet (1970)

Malet me blerim mbuluar (1971)

Motive nga dita e diel (1973)

Përjetësi (1974)

Cuca e maleve (1974)

Kur hiqen maskat (1975)

Lulëkuqet mbi mure (1976)

Monumenti (1977)

Në shtëpinë tonë (1979)

Vëllezër dhe shokë (1982)

Kujtime nga Gjirokastra (1983)

Gurët e shtëpisë sime (1985)

Përrallë nga e kaluara (1987)

Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)

Gjoleka, djali i Abazit (2006)

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights