Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur të premten tri seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit dhe keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas vendimit të gjyqtarëve të procedurës paraprake, katër të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P., u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026. Ata dyshohen se secili veç e veç, kanë kryer veprën penale falsifikimi i rezultateve të votimit, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, ndaj një të pandehuri tjetër, N.B., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila gjithashtu mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, të Kodit Penal, që ka të bëjë me moskryerjen me dashje të një detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.
Gjykata ka bërë të ditur se argumentimi i këtyre dyshimeve dhe vërtetimi i fakteve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Sipas njoftimit, këto vendime janë vazhdimësi e rastit të trajtuar më 24 janar 2026, kur ndaj njëzet e tre të pandehurve ishte caktuar masa e paraburgimit, lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit.
