Kryeministri Edi Rama foli sot, 15 korrik, në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, në Bavari të Gjermanisë, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.
Fjalimin e tij, e nisi duke iu kthyer Europës së dikurshme, më saktë Bavarisë, si një simbol i bukurisë dhe vizionit romantik. Prezencën në pallatin historik nuk e cilësoi vetëm nder, por një privilegj të rrallë.
Më pas, u ndal te sfidat aktuale të Europës, në një kohë frike për copëtim dhe harrese të asaj që i mban të lidhur popujt.
“Sonte, muzika na fton të kujtojmë se Europa ka qenë dhe duhet të mbetet civilizim. Një mënyrë për të besuar se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por stil jetese. Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një mbledhje rezistence ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor, ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor.”
Kryeministri ndau edhe kujtime nga Shqipëria e komunizmit dhe fëmijëria e tij.
“Në Shqipëri, ne e dimë si tingëllon heshtja. Jetuam për dekada të shkëputur nga sonatat dhe sallat e koncerteve. E megjithatë, muzika gjente rrugën e vet. E mbaj mend kur isha fëmijë dhe shihja filma bardh e zi, me një antenë të paligjshme. Sot, muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih e Berlin, fëmijët tanë rriten jo më me ëndrrën për t’u arratisur, por për të bashkëpunuar.”
“Si mund të mos kujtoj këtu në Bavari një gjest të guximshëm për Shqipërinë? Në vitin 1984, Franz Strauss erdhi në Shqipëri, jo me kërcënime, por me oferta. Jo për të lajkatuar regjimin, por për të hapur një dritare për popullin. Sot, ajo dorë ndihet ende. Shqipëria është e hapur dhe mirënjohëse. Ai moment provon se urat nuk ndërtohen vetëm kur kalimi është i lehtë, ndonjëherë ndërtohen në heshtje.”
Në fund, ai i bëri thirrje Europës që të mbrohet jo vetëm me traktate, por edhe me art.
“Bavaria na kujton se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore janë binjake. Europa pa shpirt, nuk është më Europë! Duhet të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e saj! Atë që duhet ta mbrojmë jo vetëm me traktate, jo vetëm me ushtarë, por në rrugë, në klasat e fëmijëve dhe në skutat e fshehta të ëndrrave tona. Le të jemi pak të çmendur, si Ludvigu, sa të besojmë në bukuri dhe ta mbrojmë, ta bëjmë sërish zemrën e Europës.”
Herrenchiemsee Festspiele “është një festival prestigjioz muzikor që zhvillohet çdo verë në ishullin Herreninsel, në liqenin Chiemsee të Bavarisë, Gjermani. Ai mbahet në ambientet madhës Edicioni 2025 zhvillohet nga 15 deri më 27 korrik, me koncerte të përditshme që fillojnë në orën 19:00. Programi përfshin muzikë klasike të nivelit të lartë, me pjesëmarrjen e interpretuesve të njohur ndërkombëtarisht.