Ashtu siç kishim raportuar, Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet më 11 shtator në orën 09:30. Lajmi u konfirmua sot zyrtarisht përmes një njoftimi nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, ku zbardhet dhe axhenda e asaj dite: “Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftojmë se më datën 11.09.2025, ora 09.30, tek kompleksi ‘Xibraku’ do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste”.
Kështu sikurse vihet re në axhendë, asambleja do të nisë me fjalën e kryetarit të PS-së dhe kryeministrit Edi Rama.
Axhenda:
-Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës
-Fjala e kryetarit të PS Edi RAMA
-Mendime, pyetje dhe diskutime
-Të ndryshme
Në mbledhjen e kësaj asambleje, pritet që kryeministri Rama të prezantojë ndryshimet në kabinetin qeveritar, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit.
Sjellim ndërmend se në zgjedhjet e 11 Majit, Partia Socialiste doli fituese e plot 83 mandateve, një fitore historike kundër Partisë Demokratike e cila sëbashku me aleatët arriti të fitojë 50 mandate.
