Të tjera detaje zbulohen lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e kësaj të mërkure, 22 tetor, brenda një lokali në zonën e Manëz, në Durrës, ku dy të rinj mbetën të vrarë me armë zjarri.
Raportohet nga vendngjarja se ngjarja ka nisur fillimisht për shkak të një konflikti mes njërit prej viktimave dhe kamarierit, për shkak se ky i fundit i kishte thënë që nuk ia bën dot kafen sepse është fikur makineria.
Në konflikt më pas janë përfshirë dhe persona të tjerë që kanë ndërhyrë.
“Flori ndërhyri për të më mbrojtur mua…”, dëshmia e kamarierit
Kamarieri i përfshirë në konfliktin mes dy viktimave dhe autorit të shpallur në kërkim ka dhënë dëshminë e tij të parë për policinë, ku është shprehur se e gjitha nisi pas kërkesës për kafe, nga personi që tashmë është në kërkim, D.P.
“Ishte ora rreth 1:45, në momentin e ngjarjes ishin 5 persona. D.P hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe u thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai ma ktheu se ‘dua kafe patjetër’ dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin.”, ka deklaruar kamarieri.
Dëshmia e punonjësit të karburantit, banorët të tronditur
Ndërkohë, ka folur për gazetarët dhe një punonjës i karburantit pranë lokalit ku ndodhi ngjarja. Ai tha se kur shkoi në punë në mëngjes pa karburantin e rrethuar si skenë krimi. Ai tha se nuk i njihte mirë dy të rinjtë, por i dukeshin djem të sjellshëm.
“Unë erdha në mëngjes, e gjeta karburantin e rrethuar, që ndalohet, skenë krimi. Më thanë ka ndodhur në ngjarje, mos u afro. Nuk i njoh. Njëri nga Manza por nuk rrinë gjatë këtu. Ishin çuna të sjellshëm. Nuk e di tamam. Çfarë thonë portalet, aq di dhe unë.”, u shpreh punonjësi i karburantit. I pyetur për kamerat e sigurisë, ai tha se nuk kishte informacion.
Na ka tronditur rëndë por ndodhi. Nuk di gjë pse ka ndodhur. I njihja, bile i kam pas kushërinj. Unë nuk di gjë mandej. E kam marrë vesh në televizor. E kam patur unë kushëri Kurtin. Ishte djalë shumë i mirë.”
Një tjetër tha: “Vallaj nuk e di fare. Sdi asgjë. Unë rri në Hamalle poshtë. Na ka tronditur, por s’kam marrë vesh asgjë deri tani.”
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:45, në një lokal pranë një karburanti në zonën e Manzës pas një konflikti mes disa të rinjve që ka agravuar në përdorimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra nga stacioni i Policisë së Manzës. Gazetarja Glidona Daci raporton për Klan News, se viktima Flori Paluçi dhe i riu i shpallur në kërkim D.P, kishin precedent të mëparshëm penal. Të dy viktimat kanë marrë nga një plumb në shpinë, por ende nuk është përcaktuar dinamika e qartë e ngjarjes. Për këtë do duhet të shikohen pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të cilat janë sekuestruar nga policia.
Shërbimet e Policisë kanë njoftuar se po kryejnë kontrolle intensive në zonë për kapjen e të dyshuarit me inicialet D. P., i cili është shpallur në kërkim. Ata kanë arritur të sekuestrojnë vetëm njërën nga armët e përdorura. Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, po vijon punën në vendngjarje për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar çdo person tjetër të mundshëm të përfshirë dhe për të administruar provat që do të çojnë në dokumentimin ligjor të rastit.