Këtë të martë mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Seanca do të mbahet në Gjykatën e Fierit, ku Shërbimi i Provës pritet të paraqesë raportin e tij në bazë të të cilit do të merret dhe vendimi për pranimin ose jo të kërkesës së ish-deputetit.
Në seancën e shkuar të mbajtur në datën 23 qershor, raporti i vlerësimit nga IEVP Fier kishte ardhur pozitiv sikurse pati deklaruar avokati mbrojtës i Salianjit, Ledio Braho.
Kjo është e disata tentativë që ish-deputeti Ervin Salianji bën për t’u liruar nga burgu, që pas arrestimit të tij më 27 shtator të vitit të kaluar. Në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin, i cili kërkonte rrëzimin e vendimit të 27 shtatorit dhe fitimin e lirisë.
Kujtojmë se Salianji u dënua nga Gjykata e Tiranës për kallëzim të rremë në lidhje me një denoncim publik që kishte bërë ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm socialist, Fatmir Xhafaj. Bëhet fjalë për rastin që u njoh publikisht si “Babalja”, ku pretendohej se vëllai i Xhafajt ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Nga hetimet rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e simuluar. Salianji u shpall fajtor për akuzën “kallëzim të rremë” dhe u dënua me një vit burg.
