Avokatët e Erion Veliajt kanë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese masën e sigurimit arrest në burg ndaj tij. Në një kërkesë drejtuar “Kushtetueses” avokatët e tij kërkojnë shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, të Apelit të Posaçëm dhe të Gjykatës së Lartë, të cilat e kanë lënë në fuqi këtë masë sigurie.
Avoaktët t tij i konsiderojnë këto vendime si të marra në shkelje të rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.
Aktualisht çështja ndaj tij është në seancë paraprake dhe pritet të vendoset nëse gjykata do të pranojë çështjen ndaj tij për gjykim të plotë.
Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese la në detyrë Erion Veliajn duke shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe më pas nga Këshilli i Ministrave. Sipas gjykatës, ai nuk ka kryer shkelje të rëndë pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.
