Bashkia e Durrësit vijon me ndryshimet administrative, që nga porosia e kryeministrit Rama, i cili kërkoi një fryjmë të re në disa bashki të vendit. Këtë të premte në Bashkinë e Durrësit po vijon procesi i emërimit të drejtuesve të cilët dhanë dorëheqjen, me kërkesë të kreut të qeverisë, gjatë muajit korrik.
Janë emëruar shtatë administratorë në njësitë administrativet qytetit të Durrësit dhe Njësinë Administrative në Sukth, të cilët zëvendësuan administratorët të cilët dhanë dorëheqjen.
Në krye të Njësisë Administrative Numër 4 u emërua, Frederik Musai. Redion Tabaku u emërua si administrator i ri në Njësinë Numër 5. Kurse në Njësinë Administrative Numër 2 u caktua Agustin Ndoj.
Kujtojmë se “fshesa Rama” nisi në korrik, ku në datën 3 të këtij muaji kryeministri Rama pati një vizitë të papritur në Bashkinë e Vlorës. I shoqëruar nga Arbjan Mazniku, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura Rama kërkoi shkarkimin e drejtorëve në bashkinë e Vlorës dhe drejtuesve të degës së Partisë Socialiste.
Pas kësaj Rama zhvilloi takime për të njëjtën arsye, kur pati të njëjtën kërkesë edhe në Bashkinë e Durrësit, Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
