Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ka deklaruar sot gjatë fjalës së saj në ceremoninë e prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, se në tetor të këtij viti do të mbahet një Konferencë Ndërkombëtare me focus Reformën në Drejtësi.
“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm, në tetor 2025 në rastin e 7-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe të 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të riorganizojë një konferencë ndërkombëtare e cila do të fokusohet në Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore, dhe Drejtësinë Kushtetuese.
Një nga panelet do t’i kushtohet pikërisht sfidave dhe rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e rendit demokratik në vendet anëtare të KiE-së. Kjo do të jetë një mundësi për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar një vizion të qartë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë.”– ka deklaruar Spiropali. Ajo shtoi se Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë Reformën në Drejtësi.
Në ceremoninë e sotme të prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Vëllimi II, morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë, politike dhe qeveritare, institucioneve të pavarura, organizatave profesionale, ekspertëve dhe universiteteve.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit tha se sot vendi ynë ndodhet në një moment të rëndësishëm përsa i përket rrugës për forcimin e institucioneve demokratike, ndërsa shpjegoi dhe rëndësinë e botimit të vëllimit të dytë të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
“Shqipëria ndodhet sot në një momentum të rëndësishëm historik në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike, anëtarësimin ne familjen europiane dhe rritjen e prestigjit ndërkombëtar. Nga të gjithë ne kërkohet që të bashkëpunojmë në këto procese. Unë iu bashkova edhe për shkak të bashkëpunimit të Kuvendit me Gjykatën Kushtetuese.
Vëllimi i dytë i udhërrëfyesit të jurisprudencës të Gjykatës Kushtetuese është një dokument i rëndësishëm me vlera njohëse për konsistencën e vendimmarrjes së gjykatës, përmbajtjen dhe cilësinë e vendimeve të saj, si edhe me dobi praktike, si burime referencë për çështje të pasqyruara me të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë edhe një kontribute të forcimit të shtetit të së drejtës në tërësi. Ky vëllim vijon punën e nisur me botimin e parë dhe ofron në instrument të vlefshëm për kuptimin, analizën dhe zbatimin e vendimeve kushtetuese në praktikën institucionale dhe ligjore të vendit tonë.”– tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit kujtoi se aktiviteti i sotëm përkon me një datë të rëndësishme të historisë botërore, datën 14 korrik, festën kombëtare të Francës, që sipas saj shënon fillimin e një epoke të re demokratike të frymëzuar nga parimet themelore, të lirisë, barazizë dhe vëllazërisë.
“Këto parime janë themel i rendit kushtetues dhe drejtësisë demokratike.”– tha Spiropali duke shtuar se Kushtetuta është themeli i rendit demokratik ndërsa GJykata Kushtetuese është institucioni që garanton respektimin e saj.