Autoritetet e Tiranës po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në lagjen “Porcelani”, ku u ekzekutua 27-vjeçari Klodian Dema. Viktima u qëllua për vdekje ndërsa ndodhej në automjetin e tij, në një sulm të koordinuar dhe të dyshuar si vepër e vrasësve me pagesë.
Burime nga policia kanë bërë të ditur se disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje lidhur me këtë ngjarje, por për mungesë provash, ende nuk ka ndonjë të arrestuar. Pista kryesore e hetimit lidhet me konflikte të mëparshme të viktimës për çështje financiare. Dema kishte patur përplasje të përsëritura me individë të ndryshëm për borxhe të mbetura të pakthyera, disa prej të cilave lidhen me bastet sportive.
Mësohet gjithashtu se, rreth një muaj përpara vrasjes, 27-vjeçari ishte përfshirë në një konflikt fizik, gjatë të cilit ishte kërcënuar nga disa persona. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga dëshmitarë dhe burime të afërta me viktimën.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 nëntor, pak pas mesnate. Dema sapo kishte dalë nga një lokal ku po kalonte mbrëmjen me disa miq. Në momentin kur hyri në makinën e tij të tipit “SUV”, një automjet tjetër i afrohet dhe autorët e qëllojnë pesë herë me armë zjarri të pajisur me silenciator. Miku i viktimës, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes, tentoi të ndjekë autorët, por ata arritën të largohen duke përdorur një automjet të raportuar më parë si i vjedhur në Greqi.
Ekspertët kanë mbledhur prova materiale në vendngjarje dhe janë duke analizuar kamerat e sigurisë në zonë për të identifikuar autorët. Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë kërkuar drejtësi, ndërsa autoritetet theksojnë se hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të krimit.
Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar në vend.
