Një tjetër episod tragjik ka shënuar sagën e gjatë të konflikteve mes dy fiseve Bardhi dhe Reçi në Mirditë. Mbrëmjen e 14 janarit 2025, 30-vjeçari Kristian Marku, i njohur ndryshe si Kristi Bardhi, u qëllua për vdekje në një atentat teksa udhëtonte me makinën e tij në drejtim të Vlorës.
Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja lidhet me hakmarrjen mes dy fiseve, një përplasje që daton prej gati tre dekadash. Autorët, të dyshuar si pjesë e fisit Reçi, i kishin zënë pritë Markut pranë mbikalimit të Novoselës, ku makina e tij u qëllua me më shumë se 13 plumba. Tre prej tyre e kapën në trup, duke i shkaktuar vdekjen. Pas atentatit, automjeti i tij humbi kontrollin dhe u përplas disa herë me trafikndarësin.
Autorët, të cilët mendohet se ishin tre, u larguan me një automjet tip “Golf”, të cilin më pas e dogjën rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Hetuesit kanë zbuluar se mjeti përdorte targa të vjedhura, ndërsa arma e krimit nuk u gjet në vendin e ngjarjes.
Policia ka nisur bastisje të shtëpive të familjarëve të fisit Reçi në Rrëshen, ku janë shoqëruar katër persona për t’u marrë në pyetje. Mes tyre janë edhe Saimir dhe Martin Reçi, të cilët kanë mohuar çdo përfshirje në ngjarje. Kujtojmë se në vitin 2023, Kristian Marku kishte tentuar të vriste Saimir Reçin në një atentat, duke shtuar tensionet mes dy familjeve.
Për të zbardhur ngjarjen, forcat e rendit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në afërsi të karburantit pranë vendit të ngjarjes dhe përgjatë autostradës Fier-Vlorë. Gjithashtu, kontrolle intensive janë kryer në çdo automjet që hynte në Vlorë dhe në fshatrat përreth si Novosela dhe Panaja.
Ky episod tragjik shënon një tjetër kapitull të dhimbshëm në një konflikt që ka marrë shumë jetë gjatë viteve, duke vazhduar të trazojë qetësinë e komunitetit në Mirditë. Policia mbetet në kërkim të autorëve të ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë.