Pas një armëpushimi me Izraelin, Irani ka intensifikuar masat e sigurisë brenda territorit të tij.
Bëhet fjalë për arrestime të shumta, ekzekutime dhe vendosje ushtarake, veçanërisht në zonat kurde, raporton The Guardian. Prezencë të shtuar të ushtrisë ka dhe në pikat e kontrollit kufitar.
Në Izrael dhe tek grupet opozitare në mërgim, për shkak të këtyre masave ekstreme të marra në Iran, u shpresua se do të kishte një kryengritje masive për përmbysjen e Republikës Islamike.
Ndërsa shumë iranianë shprehën zemërim ndaj qeverisë, ende nuk ka pasur shenja të ndonjë proteste domethënëse kundër autoriteteve.
Megjithatë, një zyrtar i lartë iranian i sigurisë dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë të informuar mbi çështjet e sigurisë së brendshme, thanë se autoritetet ishin të përqendruar në kufizimin e trazirave të mundshme, veçanërisht në zonat kurde.
Një prej zyrtarëve, tha gjithashtu se autoritetet ishin të shqetësuar për agjentët izraelitë, separatistët etnikë dhe Muxhahedinët e Popullit të Iranit, ose MEK (Mujahedin-e Khalq), një grup opozitar në mërgim i shpallur dikur si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.
Aktivistët brenda vendit po qëndrojnë të heshtur.
Grupi iranian i të drejtave të njeriut HRNA. tha të hënën se kishte regjistruar 705 arrestime për akuza politike ose të sigurisë që nga fillimi i luftës.
Shumë prej të arrestuarve janë akuzuar për spiunazh për Izraelin, tha HRNA. Media shtetërore iraniane raportoi se tre prej tyre u ekzekutuan të martën në Urmia, pranë kufirit turk, dhe grupi i të drejtave iraniano-kurde Hengaw tha se të gjithë ishin kurdë.
Pakicat kurde dhe baluke, kryesisht myslimane sunite, në Iran kanë qenë prej kohësh një burim kundërshtimi ndaj Republikës Islamike. Ata kanë kundërshtuar sundimin e qeverisë shiite persisht-folëse në Teheran.
Një anëtare e Partisë për Jetën e Lirë të Kurdistanit (PJAK), e cila i dha emrin e saj luftarak Fatma Ahmed, tha se partia kishte numëruar më shumë se 500 anëtarë të opozitës të ndaluar në provincat kurde që nga fillimi i sulmeve ajrore.
Ahmedi dhe një zyrtar nga partia kurde Komala, të cilët folën në kushte anonimiteti, përshkruan pikat e kontrollit që po ngrihen në zonat kurde me kontrolle fizike të njerëzve, si dhe të telefonave dhe dokumenteve të tyre.