Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një replikë direkte me deputetin britanik, Nigel Farage, i cili ka deklaruar se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”. Lideri i partisë Reform UK në një intervistë i kërkonte Ramës që të tregonte pak “vullnet të mirë” dhe t’i merrte mbrapsht nesër të gjithë ata.
“Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet! Çfarë nderi — për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani. Ai tha — dhe po e citoj: ‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Por kreu i qeverisë shqiptare e ka sfiduar Farage me shifra reale, duke e konsideruar këtë si diçka të pazakontë për politikanët në stilin e tij. Madje ai e sfidon duke i propozuar që të dyja palët të sjellin në tavolinë faktet. Dhe nëse pretendimet e Farage dalin të vërtetë, Rama zotohet se do t’i marrë mbrapsht siç e kërkoi deputeti britanik.
“Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit”, shkruan Rama.
Por nga ana tjetër, i thotë Farage-t se nëse del e kundërta, nuk ka nevojë që deputeti britanik të kërkojë ndjesë, por do të vijë si i ftuar nderi në Shqipëri.
“Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet. Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total — ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë. Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën. Pres me padurim përgjigjen tuaj”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë thotë ndër të tjera se pretendimi se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg” nuk është fakt, por është absurd.
“Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’ Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët”, shkruan kryeministri.
Çfarë deklaronte në intervistë Nigel Farage
Farage i bëri komentet në një intervistë për GB News. Ai komentoi intervistën e kryeministrit Edi Rama për The Guardian, ku shprehej se plani i Sir Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar jashtë vendit tregon se Britania pas Brexit-it ndodhet “në një vend shumë të errët”.
“Është një nga ato gjëra që, 10 vite më parë, thjesht nuk do të ishte e imagjinueshme… që Britania do të kërkonte vende për të hedhur emigrantët,” deklaroi Rama siç shkruan GB News duke argumentuar se Brexit-i ka ndryshuar mënyrën themelore në diskursin publik britanik.
Por kjo duket se nuk është pëlqyer nga Farage, i cili është mbështetës i madh i Brexit-it.
Farage e akuzoi Ramën për hipokrizi, duke iu referuar negociatave të Shqipërisë për të pranuar emigrantë nga vende të tjera, më saktësisht Italia.
“Si mund të na kritikojë kur ai kaloi muaj të tërë duke negociuar me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ai pranoi të merrte numra të mëdhenj të emigrantëve që kalonin Mesdheun,” tha Farage duke shtuar se “në fund, nuk mori aq shumë, por i bëri ato negociata.”
Lideri i partisë Reform UK e përmbylli sulmin e tij me një sfidë të drejtpërdrejtë për kryeministrin shqiptar.
“Ta them unë, zoti Rama, a e di se një në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg? Prandaj, trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi“, tha ai.
Por duket se kësaj sfide kreu i qeverisë shqiptare i është përgjigjur direkt. Tani “topi” është në derën e Farage!