Artan Lame është ndarë nga jeta këtë të enjte në moshën 58-vjeçare.
Siç raportohet se ish-kreu i Kadastrës ndërroi jetë në një spital në Mynih të Gjermanisë, ku ndodhej për kurim prej një jave, pas goditjes nga një ishemi cerebrale.
Artan Lame ishte publicist, opinionist dhe koleksionist shqiptar. Studiues i historisë shqiptare, veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimise kulturore shqiptare. Gjithashtu, veprimtar politik i Partisë Socialiste dhe funksionar shtetëror.
I pari që shprehu keqardhjen për vdekjen e tij, ishte kryeministri Edi Rama.
“I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët“, shkruajti ai në një postim në rrjetet sociale.
Kush ishte Artan Lame si politikan
Nga viti 1999-2000 ai mbajti postin e Drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Nga viti 2000-2002 ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
Nga viti 2002-2005 ishte zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit.
Prej vitit deri në 2013-2019, Lame ishte Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale).
Prej vitit 2019 deri në 2023-n, kur dha dhe dorëheqjen, ai mbajti detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK (Agjencia Shtetërore e Kadastrës).