Capture 42

Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë ndryshimet në praninë e tyre ushtarake në Evropë, Kosova ndodhet përballë pikëpyetjeve mbi të ardhmen e trupave amerikane të dislokuara në kuadër të KFOR-it. Për më shumë se 25 vjet, ky mision i udhëhequr nga NATO ka garantuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka ndonjë ndryshim në pozicionimin e forcave të tyre në Kosovë. Megjithatë, ish-zyrtarë të NATO-s paralajmërojnë se me ndryshimet në prioritetet globale dhe tensionet e vazhdueshme në Ballkan, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar.

Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i NATO-s, ka deklaruar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është një lider me qasje transaksionale dhe mund të kërkojë koncesione nga Kosova në këmbim të mbajtjes së trupave amerikane në vend. “Jini të përgatitur”, thekson ai.

Ndërkohë, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka vlerësuar se aktualisht vendi nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e tij pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

Misioni i KFOR-it nisi në qershor të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila çoi në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Fillimisht, përbëhej nga rreth 50.000 trupa, ndërsa sot numri i tyre është zvogëluar në rreth 4.600.

Në lidhje me këtë çështje, NATO ka deklaruar se SHBA mbetet e angazhuar ndaj Aleancës dhe pranisë së saj në Evropë, por ende mbetet e paqartë se si mund të ndikojnë zhvillimet e ardhshme në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights