Në një prononcim për mediat, anëtari i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho dha detaje për mënyrën si po vijon procesi i rinumërimit në qarkun Tiranë. Teksa ende janë shumë kuti votimi për t’u rihapur, theksoi se nuk mund të bëhet një bilanc në këtë pikë, se në çfarë mase ka pasur tjetërsim votash.
“Duke pasur vota që kanë qenë të diskutueshme, janë zgjidhur me vendimmarrje të KAS. Ideja nuk ishte për provë, kishte të bënte me transparencën dhe pretendime kryesisht të kandidatëve, janë numëruar më pak se 10% të votave, si PS dhe PD kanë humbur vota nga ky proces, disa kandidatë ka rezultuar se kanë vota të pamerituara”, u shpreh Braho.
Bëri me dije se ka diskutime për qarkun Dibër, lidhur me pavlefshmërinë e disa fletëve të votimit.
“Janë çështje subjektiviteti të grupeve të numërimit. Deri tani s’kemi pasur asnjë rast që të konsiderohet i qëllimshëm. Për në Dibër, ka dyshime se është ndërhyrë në kuti. Te Tirana deri tani nuk mund të them”, deklaroi ai.
Duke qenë se dita e parë e këtij procesi ishte me ritëm të ngadaltë, Braho tha se sot, 19 qershor, do të punohet me dy turne.
“Dje ishim të pakënaqur me ritmin, sot janë marrë masat që procesi të ndahet me dy turne, në mënyrë që numëruesit të ndërrohen. Shpresojmë të ecim me ritëm të shpejtë, por qarku i Tiranës kërkon më shumë njerëz dhe shto këtu presionin nga vëzhguesit.”
I pyetur se a ka pasur tren bullgar në Elbasan, u përgjigj se ende nuk janë vlerësuar provat nga ana e KAS.
“Ne nuk jemi në fazën që të kemi vlerësuar provat, PS dhe PD i kanë të gjitha procesverbalet nga ato kuti, mesa kuptova kishte disa mospërputhje në disa qendra votimi. Është diçka që duhet trajtuar me kujdes, lidhur edhe me videot që qarkulluan. Duhet të kuptojmë se çfarë ka ndodhur ditën e zgjedhjeve”, përfundoi Braho.