Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Kontrata”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i datës i Gjykatës së Tiranës, që ka caktuar masat e sigurisë për 5 shtetas.
Pesë personat dyshohen për përfshirje në një skemë falsifikimi dokumentesh dhe shpërdorimi detyre që lidhet me përfitimin e paligjshëm të një pasurie toke në fshatin Mëzez.
Sipas vendimit të gjykatës, masa “Arrest në burg” është caktuar për shtetasin Denis Bakalli 45 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Masa “Arrest në shtëpi” është vendosur ndaj Imer Çelaj 59 vjeç, i dyshuar për të njëjtën vepër penale.
Gjithashtu, gjykata ka vendosur masën “Pezullim nga ushtrimi i një detyre apo shërbimi publik” për tre punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës B. S., 49 vjeç; F. Z., 35 vjeç; dhe Th. L., 41 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se shtetasit D. B. dhe I. Ç. kanë kaluar në pronësi të tyre një sipërfaqe toke 2350 m² në fshatin Mëzez, që ishte pronësi të një shtetasi tjetër, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, në bashkëpunim me 3 punonjësit e ASHK-së.
Më tej, Gjykata ka caktuar sekuestro preventive për këtë sipërfaqe toke.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
