Në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u mbajt këtë të hënë, 22 dhjetor, ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te drejtuesi i ri, Klodian Braho.
Gjatë fjalës së tij, Dumani i uroi suksese Brahos, duke shprehur besimin se ai do të vijojë punën në forcimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Ndërsa Braho falenderoi të dy paraardhësit për punën e kryer, si Dumanin, ashtu edhe kreun e parë të SPAK-ut, Arben Krajën.
Braho shtoi se misioni i tij në këtë mandat 3-vjeçar në krye të SPAK-ut do të vazhdojë të mbetet respektimi i ligjit me rigorozitet, duke përforcuar bashkëpunimin me BKH-në për hetime për cilësore.
Në fund Braho u shpreh se misioni i SPAK është më i rëndësishëm se sa një mandat individual.
“Së pari shpreh falenderimin tim për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për vlerësimin e treguar, suke më përzgjedhur në pozicionin aq të rëndësishëm të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Marrja e detyrës më shumë se sa një angazhim simbolik është një detyrë për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe për të forcuar më tej besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së pakursyer të partnerëve ndërkombëtarë SPAK po forcohet si një strukturë solide, e ndjekjes penale.
Dëshiroj që të vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja për kontributet e tij në vendosjen e gurëve të parë të institucionit, për të marrë formën që ka marrë sot, si dhe zotin Dumani për guximin dhe integritetin e tij duke forcuar profilin e SPAK dhe duke rritur besimin e publikut. Në ushtrimin e kësaj detyre fokusi im, siç e kam përmendur edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të mbetet funksionimi i brendshëm, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës.
Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Hetimi Financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK. Bashkëpunimi i bazuar në respektimin reciprok të prokurorëve dhe të hetuesve do të vijojë që të forcohet, duke ofruar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete. Institucioni do të vazhdojë që të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe publikun, duke respektuar kornizën ligjore. Të nderuar koleg misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë mendoj që jemi në skuadër dhe të punojmë krah përkrah me përkushtim në zotimin ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Braho.
“Shpreh falënderimin tim, marrja e detyrës është angazhim për të respektuar ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK. Vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja, zotin Dumani për guximin duke forcuar profilin e SPAK. Fokusi im do të mbetet respektimi rigoroz dhe respektimin e ligji. Institucioni do komunikojë në mënyrë të qartë, misioni i SPAK shkon përtej mandateve”, tha Klodian Braho.
Dumani – Brahos: I bindur se do çosh para misionin!
Dumani i uroi Brahos suksese në detyrën e re, duke theksuar se do të mbështetet në trashëgiminë gjashtëvjeçare për të vijuar punën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Para se t’ia lë fjalën z. Braho, t’i kaloj zyrtarisht dhe stafetën më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një ndër kapitujt që ka qenë ndër më sfiduesit e karrierës sime si prokuror. Drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka qenë një privilegj i madh por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha. Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot SPAK është më i fortë dhe i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Ky është rezultat i punës së palodhur të të gjithëve, i shpreh falenderimet çdo punonjësi që ka kontribuar me integritet dhe kurajo. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, integritetin dhe sakrificat tuaja. Gjithashtu u shpreh mirënjohjen time partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë qenë pranë nesh në çdo hap. Një falënderim i veçantë dhe për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z.Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare, duke e çuar përpara misionin e SPAK-ut, me integritet e vendosmëri! Faleminderit dhe suksese z.Braho!”, tha Dumani.
Klodian Braho është zgjedhur në krye të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar, pas një vendimi të marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) gjatë seancës maratonë të 11 dhjetorit.
Klodian Braho u votua nga 7 anëtarë të KLP-së, duke siguruar shumicën e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit. Në garë ishin pesë kandidatë. Përveç Brahos, kandiduan edhe Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj. Nga votimi përfundimtar, tre anëtarë të KLP-së mbështetën Adnan Xholin, një votë shkoi për Elvin Gokajn, ndërsa asnjë votë nuk u dha për Doloreza Musabelliun.
Mandati i drejtuesit të SPAK-ut është 3-vjeçar dhe nuk parashikon të drejtë rizgjedhjeje.
Altin Dumani, i cili mori drejtimin e institucionit pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të SPAK-ut, përfundon kështu detyrën e tij drejtuese dhe do të vijojë punën si prokuror i SPAK-ut deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.
