Është riaktivizuar vatra e zjarrit në malin e Dukatit në Vlorë. Konkretisht, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, ku flakët kanë përfshirë edhe zonën poshtë pyllit me pisha.
Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë operuar dy avionë “Canadair” nga shteti grek. Ndërsa ditën e sotme, 22 korrik, ka vijuar operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake dhe një helikopter të FA-së.
Nëntë vatra aktive zjarri në vend, një në monitorim
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat nëntë mbeten ende aktive dhe një në monitorim.
Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Vlorë, Elbasan, Belsh, Kurbin, Devoll, Korçë, Maliq, Përmet, Shijak dhe Malësi e Madhe.
Zjarr në Rrëshen
Situata në Qarkun Lezhë aktualisht paraqitet e qetë, ndërsa vijon puna për fikjen e zjarrit në Shkopet. Në Milot, ka filluar operacioni me forcat bashkiake dhe 60 efektivët e Forcave të Armatosura.
Në Mirditë raportohet se ka nisur puna për të vënë nën kontroli zjarrin në fshatin Lurth, njësia administrative Rrëshen. Në terren janë 2 mjete zjarrfikëse Pick-Up, 6 efektiv zjarrfikës, 5 të shërbimit pyjor, si dhe 20 forca të shërbimeve bashkiake e 6 të njësisë administrative.
Dishnicë, Gjirokastër – 50 forca në terren
Në Dishnicë po punohet intensivisht për shuarjen e një vatre zjarri me një perimetër të madh. Forcat zjarrfikëse janë ndarë në dy grupe operacionale për të izoluar flakët: njëri nga krahu pranë Kishës së Shën Marenës dhe tjetri nga ana e fshatit Barç.
Në zonën e zjarrit janë përfshirë sipërfaqe me pisha, ahishte, lajthi dhe humus. Megjithatë, mësohet se situata është nën kontroll.
Emergjencë kombëtare kundër zjarreve
Sot, 22 korrik, Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një plan masash duke marrë parasysh temperaturat e larta që sjellin zjarre masive në territorin e vendit. Është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile, me në fokus mobilizimin e të gjithë strukturave të emergjencës civile në nivel kombëtar.
Masat e menjëhershme të marra përfshijnë:
-Rritje e gatishmërisë së trupave vendore në dispozicion të prefektëve për reagim të shpejtë në çdo vatër zjarri.
-Monitorim i pandërprerë i territorit nga njësitë vendore për të siguruar raportim të menjëhershëm të çdo rreziku.
-Pozicionim strategjik i forcave në zonat me risk, për të reduktuar ndjeshëm kohën e ndërhyrjes.
-Ndërhyrje nga ajri, me përparësi për zonat e banuara dhe ato të mbrojtura me rëndësi natyrore.
– Bashkëpunim me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, për të siguruar kapacitete shtesë në rast emergjence të thelluar.