33 masa sigurie janë lëshuar në Tiranë si pjesë e operacionit “Blloku 33” kundër shitjes së drogave të forta në lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut.
Prej tyre, siç njoftoi policia e kryeqytetit, janë ekzekutuar 25 masa sigurie, më saktësisht 24 në arrest me burg dhe një në arrest shtëpie.
Ndërkohë vijon puna për arrestimin e tetë shtetasve të tjerë.
Në operacionin “Blloku 33” janë sekuestruar rreth 2 kilogramë kokainë, 450 gramë heroinë, dy pistoleta, 29 celularë, gjashtë automjete, katër peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash.
Uniformat blu kanë shpërndarë pamjet nga momenti i kontrolleve në disa prej lokaleve në zonë, duke zbuluar në këtë mënyrë edhe sendet e paligjshme që zotëroheshin nga disa prej të arrestuarve.
Sipas asaj që njoftoi policia e Tiranës, hetimi për goditjen e disa grupeve kriminale që merreshin me këtë veprimtari të jashtëligjshme ka zgjatur disa muaj.
Gjatë kësaj kohe në total janë identifikuar 42 pjesëtarë. Nëntë prej tyre janë arrestuar më herët gjatë hetimeve teksa janë sekuestruar edhe 85 kilogramë kanabis.
Në pranga kanë rënë kryesisht banakierë dhe kamarierë të këtyre lokaleve pasi ishin të përfshirë në këtë aktivitet.
Klientët ishin persona VIP dhe frekuentuesit e jetës së natës. Jo vetëm në ish-Bllok, por droga shitej edhe në zonat e tjera të Tiranës si në Selitë, Shkolla e Bashkuar etj.