Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe kritikave të forta ndaj gjyqtarit të çështjes së kryebashkiakut Erion Veliaj, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë dalë me reagime të forta në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
KLGJ dënoi çdo përpjekje për të ndikuar tek vendimmarrja e gjyqtarëve, duke theksuar se sulmet nga zyrtarë të lartë dhe media mund të dëmtojnë integritetin e sistemit gjyqësor dhe të ndikojnë besimin e qytetarëve tek drejtësia.
Në të njëjtën linjë, KLP kërkoi respektim të pavarësisë dhe integritetit profesional të prokurorëve, duke theksuar se çdo ndërhyrje e jashtme dëmton funksionimin e një drejtësie të paanshme.
“Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent,” thuhet në njoftimin e KLP-së.
Këto reagime vijnë në një klimë të tensionuar, ku SPAK dhe kreu i tij, Altin Dumani, janë vënë nën presion politik pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës.