Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) pranë Bashkisë Tiranë u bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të kryejnë pagesat e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2026 brenda afateve të përcaktuara, për të shmangur penalitetet, kamatëvonesat dhe gjobat.
Sipas njoftimit të DPTTV-së, gjatë muajit Mars është përmbyllur procesi i gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore për vitin tatimor 2026. Ky proces përfshin si subjektet tregtarë për detyrimet e biznesit, ashtu edhe individët që janë pronarë të njësive tregtare për detyrimet e taksës mbi pasurinë e paluajtshme.
Afati për pagesën e taksave dhe tarifave vendore për bizneset është data 31 Maj 2026. Ndërkohë, për taksën mbi pasurinë e paluajtshme për pronarët e njësive tregtare, kësti i parë duhet të shlyhet deri më 20 Prill 2026 dhe kësti i dytë deri më 30 Qershor 2026.
