Seanca e parë gjyqësore e themelit ka nisur këtë të hënë për dosjen “Partizani”.
Seanca e parë u hap nga tre gjyqtarët Elsa Ulliri Kryesuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj anëtarë.
Gjyqtarja Ulliri po bën relatimin e akuzave të të pandehurve.
Fletëthirrja për Berishën është marrë dhe firmosur nga Malltezi.
Elsa Ulliri: Zoti Malltezi e keni njoftuar të pandehurin Berisha në lidhje me seancën e sotme?
Jamarbër Malltezi: Nuk e kam njoftuar.
Në një shkresë policia bëri me dije se ia ka dorëzuar fletëthirrjen zotit Berisha dhe se ai është në dijeni për seancën e sotme.
Në seancë mungon i akuzuari Fatmir Bektashi për arsye shëndetësore.
Andia Pustina nuk është e pranishme në sallën e gjyqit dhe kërkon të përfaqësohet nga avokati i saj Klodian Skënderi.
Nga ana tjetër, njëri nga avokatët e ish kryeministrit Berisha, Klodiana Gjyzari deklaroi: Koha ka qenë e shkurtër dhe ne nuk kemi dijeni nëse zoti Berisha është njoftuar për seancën e sotme.
Prokurori Arben Kraja: I pandehuri Sali Berisha nuk është njoftuar për seancën e sotme, po ashtu shoqëria Homeplan shpk konstatojmë se nuk ka avokat në sallë.
SPAK kërkoi që seanca të shtyhet dhe të caktohet një datë tjetër.
Gjykata: Të konsiderohet e pranishme Andia Pustina dhe të mbrohet nga avokatja Klodiana Gjyzari. Gjykata legjitimon avokatët e të pandehurve. Seanca do shtyhet për në një datë tjetër.
Seanca e ardhshme, datë 21 korrik ora 10:30.
Ish kryeministri Sali Berisha ndodhet nën masën detyrim paraqitje, kurse dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi në arrest shtëpie.