Etleva Deda do të jetë gjyqtarja se seancës paraprake për dosjen ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe 16 personave të tjerë.
Mes tyre janë biznesmenë dhe të afërm të çiftit Veliaj-Xoxa, si ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e cila është vënë nën akuzë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Gjyqtarja Deda do të përcaktojë në këtë mënyrë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose jo apo nëse do të kthehet sërish në SPAK.
Zyrtarisht SPAK e akuzon kryebashkiakun Veliaj për pesë vepra penale, korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.
Edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa akuzohet për veprat penale korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe mosdeklarim i të ardhurave.
Sipas SPAK, Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij kanë përfituar të ardhura monetare dhe pasuri të paluajtshme në këmbim të lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës.
Kujtojmë se Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt dhe prej asaj kohe qëndron në paraburgimin e Durrësit.
Vetë Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat në reagime të mëparshme për mediat dhe kryebashkiaku i ka konsideruar ato si sulm politik.