Hetimet ndaj ish-zv.kryeministrit dhe ish-ministrit Arben Ahmetaj janë zgjatur edhe me tre muaj të tjerë. Pas vendimit të fundit për shtyrje që u mor në qershor, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar një tjetër afat deri në nëntor, me qëllim thellimin e hetimeve lidhur me dosjen ndaj tij.
Kjo është hera e pestë që hetimet ndaj Ahmetajt marrin një shtyrje nga SPAK, ndërsa data përmbyllëse aktualisht është caktuar 23 nëntori. Kërkesa për zgjatje është argumentuar nga Prokuroria me faktin se ende nuk kanë mbërritur përgjigjet nga letër-porositë e dërguara jashtë vendit, të cilat janë të domosdoshme për ecurinë e hetimeve.
Në këtë kontekst, organi i akuzës ka vendosur të vijojë me hetime të mëtejshme për të mbledhur të gjitha provat e nevojshme dhe për të përmbushur të gjitha procedurat ligjore.
Arben Ahmetaj është nën hetim në mungesë, me masa sigurie të vendosura, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, në kuadër të çështjes së inceneratorëve. Ndër të pandehurat në këtë dosje janë përfshirë edhe ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e tij, të dyshuara për përfshirje në pastrim parash. Ndërkohë, disa pasuri të lidhura me këtë çështje janë vënë nën sekuestro disa javë më parë.