Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ashpërsuar kritikën ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai ka bërë punë të tmerrshme dhe se ai do të mund të merrte pjesë në bisedimet e zhvilluara këtë javë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në Arabinë Saudite, nëse do të kishte dashur. Trump i bëri këto komente në një takim në Majami, me shefa të biznesit të fondit sovran të Arabisë Saudite, pas komenteve të tjera të ashpra ndaj Zelenskyt, më herët.
Trump ka shkruar në platformën e tij Truth Social se Zelensky është “diktator i pa zgjedhur” dhe ka paralajmëruar se ai “bën mirë të veprojë shpejt, ndryshe do të mbetet pa shtet”. Në fjalimin e tij në Majami, ai vlerësoi se Zelensky është duke keqpërdorur ndihmën amerikane për luftë, dhe ka shfrytëzuar administratën e ish-presidentit amerikan, Joe Biden.
Këto komente duket se janë kundërpërgjigje ndaj kritikës së Zelenskyt se Trump “jeton në flluskën e tij të dezinformatave” të nxitur nga Moska. “Ne i kemi parë këto dezinfirmata”, tha Zelensky të mërkurën.
“Ne e kuptojmë se ato vijnë nga Rusia”. Zelensky i bëri këto komente pasi Trump e fajësoi atë për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se është i “zhgënjyer” që Zelenski është ankuar pse nuk është ftuar në bisedimet e zhvilluara mes SHBA-së dhe Rusisë për t’i dhënie fund luftës. Zelensky ka thënë se Ukraina nuk ishte ftuar në takimet në Riad.
Por trump tha se rusët “kanë marrë shumë territore dhe janë ata që kanë kartat në duar” në negociatat për dhënie fund të luftës. Komentet e trump janë pritur keq nga liderë të kongresit amerikan, vecanërisht ata demokratë, por edhe nga liderët evropianë.