Pas 4 ndeshjeve me ulje ngritje, praktikisht si pjesa tjetër e ekipit, Rafael Leao “zgjohet” pikërisht atëherë kur duhej, në sfidën më të rëndësishme në këtë fillim sezoni, në derbin e Madonnina-s kundër Inter.
Ylli portugez bëri gjithçka në këtë përballje, dy gola dhe një asist, një super paraqitje që rikthehen edhe një herë diskutimin për të ardhmen e tij. Leao ka një kontratë deri më 3- qershor 2024:
“Nuk janë gjëra që i vendos unë, por besoj se vullneti i klubit është të rinovojë me Leao-n. Ai është një lojtar me sjellje të bukura, një futbollist i bekuar me shumë talent”, u shpreh Pioli kur u pyet mbi këtë temë.
Nuk është një sekret që drejtuesit e Milan kanë kohë që po punojnë për rinovimin e Leao-s të vetëdijshëm se ylli portugez mund të joshet nga oferta të ndryshme që vijojnë të vijnë për të. Qëllimi i drejtuesve të klubit është të anulojnë klauzolën e largimit prej 150 milionë euro, shifër që mund ta paguajnë shumë klube, ndërsa portugezit duhet t’i ofrojnë kushte të reja page, minimalisht 6,5 milion euro në sezon.