Sot Shqipëria përkujton Ditën Kombëtare të Rinisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë së vendit, që shënon 35 vjet nga fillimi i lëvizjes studentore të vitit 1990, protestat paqësore që i dhanë fund regjimit komunist dhe hapën rrugën drejt demokracisë.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës ndërmorën veprimin vendimtar, duke u bërë protagonistë të protestave që ndryshuan historinë e Shqipërisë. Ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhët e tyre qytetarë të shumtë, dhe me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës.
Sot, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare që prej vitit 2009, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, në nderim të guximit, sakrificës dhe vendosmërisë së studentëve dhe gjithë rinisë shqiptare, e cila u bë zëri kryesor i ndryshimit historik.
Dita Kombëtare e Rinisë mbetet një moment reflektimi mbi rolin vendimtar të rinisë në ndërtimin e një Shqipërie të lirë dhe europiane.
Mesazhe urimi nga politika
Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar sakrificën dhe guximin e të rinjve që i hapën rrugën Shqipërisë drejt demokracisë dhe integrimit europian.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, presidenti Begaj thekson se aspirata europiane e shqiptarëve mbetet e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë, që frymëzuan lëvizjen studentore të Dhjetorit ’90. Sipas tij, çdo hap drejt përparimit dhe integrimit europian është një nderim i guximit dhe vizionit të rinisë që përballoi kufizimet dhe pengesat e një epoke të vështirë.
“Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane.
Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”, shkruan Begaj.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjithashtu ka dhënë një mesazh me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë.
Ajo shkruan se 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale.
Duke kujtuar gjithashtu thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ministrja Spiropali shkruan se kjo moto “ishte esenca e vet historisë shqiptare, në kontradiktën më të thellë e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit europian, por njëkohësisht e ndarë gjatë e dhunshëm prej kësaj përkatësie”.
“Sot ecim më shpejt e më të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE, ku të rinjtë e Shqipërisë kërkohet më shumë se kurrë të jenë pjesëmarrës, këmbëngulës, kontribues për Shqipërinë demokratike, meritokratike, të hapur, konkurruese, inovative, me drejtësi e mundësi për të gjithë”, shton Spiropali.
Ky përvjetor rikujton rolin historik të studentëve në rrëzimin e regjimit të mbyllur dhe hapjen e Shqipërisë ndaj botës, duke vënë themelet e një shoqërie demokratike dhe pjesëmarrëse në rrugëtimin europian.
