OpenAI ka zbuluar versionin e fundit dhe të shumëpritur të ChatGPT, GPT-5 duke thënë se ‘chatbot’-i ka ekspertizë në nivel doktorature, shkruan BBC.
I quajtur “më i zgjuar, më i shpejtë dhe më i dobishëm”, shefi i OpenAI, Sam Altman, tha se modeli i ri është një epokë e re e ChatGPT.
“Mendoj se të pasurit diçka si GPT-5 do të ishte e paimagjinueshme në ndonjë epokë tjetër të historisë njerëzore”, tha ai gjatë së enjtes.
Së fundmi, edhe Elon Musk bëri deklarata të ngjashme për ‘chatbot’-in e tij, Grok, duke thënë se ishte “më mirë në gjithçka sesa niveli i doktoraturës” dhe e quajti “IA më e zgjuar në botë”.
Nga ana tjetër, Altman tha se modeli i ri do të kishte më pak përgjigje të sajuara dhe të pasakta. OpenAI gjithashtu po e promovon GPT-5 si një asistent proeficent për koduesit.
Kompania ka theksuar aftësinë e ‘chatbot’-it për të krijuar programe në tërësi dhe të demonstrojë aftësi më të mira arsyetuese me përgjigje që tregojnë punime, logjikë dhe konkluzione. Sipas saj, është trajnuar që të jetë më i ndershëm dhe të japë përgjigje më të sakta, duke u dukur më njerëzor.
Altman thotë se modeli është “dallueshëm më i mirë” sesa paraardhësit.
“GPT-3 më dukej sikur po flisja me një nxënës gjimnazi…4 sikur po flisja me një student universiteti. GPT-5 është hera e parë që më duket sikur flas me një ekspert të çfarëdo fushe, një ekspert me doktoraturë”, tha ai.
Por kritikët thonë se GPT-5 mund të mos sjellë aq përfitime sa përshkruan marketingu i tij. Madje mund të forcojë hendekun mes aftësive të IA dhe sonës për ta udhëhequr në mënyrën që njerëzit presin. Megjithatë, vetëm koha do ta tregojë nëse GPT-5 është vërtet aq i mirë sa pretendon Sam Altman.