Ditmar basha

Deputetët e Kosovës zgjodhën sot më 26 gusht me shumicë votash, Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit. Dimal Basha, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, mori 73 vota pro, 30 deputetë votuan kundër ndërsa tre abstenuan.

“Është koha që të punojmë sëbashku për interesin më të lartë, për të ardhmen e vendi tonë, republikës sonë, për të cilën u sakrifikuan gjenerata të tëra”, tha Basha në fjalën e tij pasi u zgjodh kryeparlamentar.

“Si kryetar i kuvendit, pres që të bëhemi bashkë, pres debat të hapur dhe respekt për njëri-tjetrin, dua të shoh kritika por edhe alternativa. Për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar. Kosovën e kemi bashkë”, shtoi ai.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kush është Dimal Basha?

Sipas biografisë së publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.” Basha gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.

Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Prapaskenat e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

Para zhvillimit të seancës konstituive, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi takim konsultiv mes partive parlamentare.

“Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës duke e vendosur një kandidat, i cili, sipas neve, as nuk i plotëson kriteret e as nuk është i duhuri”, tha Krasniqi për media.

Ai theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje “vërtet konsideron se Dimal Basha është kandidati më i mirë që ata kanë, ne do ta votojmë, edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”.

PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

Kujtojmë se në seancat e kaluara, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizjes Vetëvendosje iu hodhën poshtë pesë kandidatë në votim pasi asnjëri nuk mori të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Arbëerie Nagavci, Donika Fërvalla dhe madje edhe Dimal Basha në një seancë të kaluar nuk morën më shumë se 57 vota.

Mbi 4 muaj krizë

Ngërçi, që zgjati 4 muaj e 10 ditë, nisi më 15 prill. Kandidatja e parë e propozuar nga LVV, Albulena Haxhiu dështoi disa herë të zgjidhej si kryeparlamentar. Avni Dehari, si kryetari në detyrë i parlamentit, ndryshoi rendin e ditës më 1 maj ku kërkoi që partitë e tjera të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Kjo u kundërshtuar nga partitë e tjera dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.

Ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura, aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht, përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t’i kthehet votimit të hapur.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights