Screenshot 9 4 696x472

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, tha sot se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni Evropian (KE) në lidhje me pezullimin e fondeve për Shqipërinë për digjitalizimin.

Duke iu përgjigjur gazetarëve gjatë një konference për mediet, Dhuka bëri të ditur se ka komunikuar me koordinatoren kombëtare të fondeve IPA, si dhe me zyrtarin kombëtar të autorizuar për këto fonde, përkatësisht me SASPAC dhe Ministrinë e Financave dhe nuk rezulton se ka pezullim të fondeve për Shqipërinë për programet digjitale.

“Jam njohur me interesin nga disa medie në lidhje me programet për digjitalizimin. BE e mbështet Shqipërinë në rrugën e transformimit digjital sa i përket digjitalizimit të shërbimeve si në nivel qendror, dhe vendor, duke pasur parasysh që kanë një rëndësi të madhe edhe për të parandaluar korrupsionin në sportel. Kam biseduar me koordinatoren kombëtare të fondeve IPA, njëkohësisht me zyrtarin kombëtar të autorizuar për fondet IPA – respektivisht SASPAK dhe Ministrinë e Financave – dhe nuk rezulton që kemi ndonjë informim paraprak apo komunikim nga Komisioni Evropian për një masë të tillë, si pezullimi i fondeve të Shqipërisë për programet digjitale”, tha ajo.

Sipas Dhukës, programi digjital është një program i ri, i cili po përgatitet për t’u zbatuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe ende nuk ka nisur zbatimi i tij. Ministrja shtoi se institucionet shqiptare po garantojnë forcimin e vazhdueshëm të sistemeve të menaxhimit, duke u bazuar edhe në eksperiencat e vendeve të tjera.

“Programi digjital është një program i ri. Shqipëria me mbështetje e BE-së po përgatitet për të zbatuar programin, por nuk ka filluar ende zbatimi. Teksa bën këtë, për këtë program apo programe të tjera, në mënyrë sistematike Shqipëria përmirëson masat parandaluese, masat mbrojtëse për korrupsionin apo parregullsi të tjera, në sistemin e saj të menaxhimit dhe kontrollit financiar. Garantohemi në mënyrë sistematike që t’i forcojmë sistemet e menaxhimit për të parandaluar ndodhi të cilat mund të vijnë gjykuar nga nevoja e brendshme apo eksperienca që kanë bërë vende të tjera pararendëse. Të dy zyrtarët e lartë më kanë garantuar se po punojnë me Delegacionin e Bashkimit Evropian për të përmirësuar të gjitha masat parandaluese të sistemit tonë të kontrollit”, tha Dhuka.

Nga ana tjetër ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e pyetur në lidhje me pezullimin e fondeve të IPARD për bujqësinë, theksoi se “Shqipëria ka një plan konkret masash antikorrupsion për të adresuar të gjitha shqetësimet e institucioneve evropiane me fondet e IPARD dhe ky është një plan i konsultuar me këto institucione dhe është aktualisht në proces hetimi dhe besojmë se shumë shpejt Shqipëria do të marrë besimin në këtë fushë për të vijuar me përfitimin e fondeve të IPARD”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights