Shkodra u trondit mëngjesin e së hënës pas vërshimit të plumbave në një lokal, duke lënë pas dy viktima, Armando Palin e Liridon Krajën, si dhe dy të plagosur: E.V. (Brajoviç), i cili ishte dhe shënjestra atentatit, si dhe një kamariere 25-vjeçare.
Bëri me dije detajet e fundit nga ngjarja e rëndë, duke thënë se autori i arrestuar u ka rrëfyer hetuesve se ka patur vetëm një objektiv, pikërisht E.V-në. Ndërsa viktimat dhe e plagosura tjetër kanë qenë “dëm kolateral”.
Në fakt dëshmia e autorit disa orë pas ngjarjes duket se nuk është marrë shumë e mirëqenë për shkak se ai ka refuzuar të flasë më shumë, me argumentin se është i dëmtuar në këmbë. Ai ka thënë se “e ka patur vetëm me E.V-në”.
I arrestuari ka patur një itinerar “plot me aventura” gjatë arratisjes, siç tha gazetarja, dhe në fund ka mbetur i plagosur në këmbë. Ai ka marrë një automjet, atë e ka aksidentuar, nuk i ka ndaluar policisë dhe në fund është arrestuar. Pra kemi një dinamikë të itineratirit të tij, por ajo që hetuesit duan të zbulojnë është cili ishte motivi. Grupi hetimor është gjithashtu i përqendruar në hetimet për të kuptuar nëse ai ishte vrasës me pagesë, i inflirtuar apo jo.
Objektivi i atentatit: Nuk kam lidhje me grupet kriminale
Të dhënat që vijnë nga spitali ushtarak mbrëmjen e djeshme tregojnë se objektivi i këtij sulmi e ka kaluar gjendjen e rrezikut, pasi siç raportoi gazetarja Emi Kalaja gjendja e tij është stabilizuar dhe madje përmes avokatit ka arritur të japë një deklaratë.
“Objektivi i këtij atentati e ka kaluar gjendjen e rrezikut, gjendja e tij është stabilizuar dhe ka dhënë një deklaratë ku së pari u shpreh ngushëllimet familjarëve të miqve të tij, Armando Pali dhe Liridon Kraja, duke i përshkruar ata si qytetarë modelë. Nga ana tjetër ai ka thënë se të gjitha pretendimet që kanë qarkulluar në media për të shkuarën e tij janë të rreme, ai ka thënë se është biznesmen, të atin e ka patur biznesmen, ai vetë është pronar i disa kompanive në Shkodër, futbollist, ka patur një jetë me aktivitete dhe ka thënë që çdo pistë hetimi do ia lërë drejtësisë.”,
Unë, E.V (Brajovic), e bëj këtë reagim për mediat dhe opinionin publik. Në këto momente të vështira, jo vetëm për mua, i shpreh ngushëllimet e ndjera familjarëve të dy miqve të mi që ishim së bashku sot në mëngjes në një kafe në qendër të Shkodrës. Ata ishin qytetarë model të Shkodrës, familjarë të respektuar nga gjithë komuniteti. Dora e pabesë e një vrasësi i shkëputi sot nga jeta, teksa ishim së bashku, dhe për mua personalisht është dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet! Qofshin në paqe me Zotin, Armando dhe Geridoni! Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre! Gjithashtu i uroj shërim të shpejtë vajzës së plagosur në këtë ngjarje. Distancohem plotësisht nga informacione që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër.
Jam sipërmarrës në disa biznese, një pjesë të trashëguara nga babai im, gjithashtu ai sipërmarrës deri në fund të jetës, ish-futbollist i Shkodrës dhe kombëtares shqiptare.
Unë kam qenë, për shkak edhe të traditës familjare, ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë, ish-president i klubit të futbollit Tërbuni të Pukës. Familja ime ka pasur një histori persekutimi politik para viteve ’90, por edhe vite më pas për shkak se ka përfaqësuar komunitetin malazez në Qarkun e Shkodrës. Për interesa të këtij komuniteti dhe Shkodrës kam shërbyer me korrektësi për disa vite anëtar i këshillit bashkiak të qytetit tim, ashtu sikurse kishte shërbyer njëri prej miqve të mi të afërt që humbi jetën sot. Jam informuar në spital që autori është ndaluar dhe shpresoj të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik! Sa për lidhje të tjera që aludohen në media, sqaroj se duhen lënë institucionet e ligjit të trajtojnë këto çështje!
Të plagosurit e kalojnë gjendjen e rrezikut
Ditën e djeshme i plagosuri E.V që ishte dhe objektiv i atentatit, ka dalë nga gjendja e rrezikut. Pas ngjarjes, ai është transportuar në spitalin Ushtarak, pasi i ishin prekur disa prej arterieve, por gjatë orëve të darkës përmes avokatëve kemi mësuar se ka arritur të stabilizohet.
Ndërsa sa i takon vajzës së re, Kalaja tregoi se ajo ka marrë një plumb afër gjoksit dhe krahut. Gjendja e të plagosurës është e stabilizuar dhe mjekët po bëjnë çfarë është e mundur që kjo plagë që ka marrë gjatë ushtrimit të punës të mos i lërë pasoja afatgjatë.
