Për të 27-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura në muajin shkurt.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, edhe gjatë vazhdimit të seancës konstituive më 4 qershor, refuzuan të propozonin një përfaqësues që do të mundësonte zhvillimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Propozimi për votim të fshehtë u paraqit më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për postin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme në votimet e hapura.
Votimi i fshehtë po kundërshtohet nga partitë që më parë ishin në opozitë, të cilat e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Sipas tyre, mënyra e propozuar nga LVV-ja përmes votimit të fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën. Ato kanë kërkuar nga Gjykata të ndërmarrë një “masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa çështja të trajtohet me prioritet dhe të merret një vendim”.
Kjo është hera e 19-të që propozimi për votim të fshehtë për kryeparlamentarin nuk merr mbështetje nga shumica e deputetëve. Seanca konstituive, e nisur më 15 prill, pritet të vazhdojë më 7 qershor.
Në prag të kësaj seance, avokati Arianit Koci bëri një veprim simbolik: mbylli dyert e Kuvendit, duke i kërkuar deputetëve të mos e lënë sallën pa arritur një marrëveshje për konstituimin e organit legjislativ. Ai vendosi një fjongo në hyrje, për të theksuar urgjencën e situatës.
Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja e kanë cilësuar Albulena Haxhiun si një figurë përçarëse, duke kërkuar që LVV-ja – si fituese e zgjedhjeve, të propozojë një kandidat tjetër për kryetar Kuvendi. Në anën tjetër, LVV-ja vazhdon të insistojë se Haxhiu e meriton këtë post dhe tashmë pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të qartësuar situatën.
LDK-ja ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga Vetëvendosje për këtë post.
Për ta konstituuar Kuvendin, duhet të zgjidhen kryetari dhe pesë nënkryetarë, për të cilët kërkohen gjithsej 61 vota. Vetëm pas kësaj, Kuvendi konsiderohet i konstituar, duke i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re.
Organizatat e shoqërisë civile dhe faktori ndërkombëtar kanë shprehur shqetësimin për këtë ngërç politik, duke i bërë thirrje klasës politike në Kosovë që të përshpejtojë procesin e formimit të institucioneve të reja.