Edhe tentativa e 24-t për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pati fatin e të tjerave.Në seancën e ditës së sotme, nuk pati kuorum për të ngritur një komision në mënyrë që të votohet me procedurë të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
Palët kanë hedhur akuza kundër njëra-tjetrës për bllokadën e krijuar.
Sipas tyre ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të procedurës, pas disa përpjekjesh me votim të hapur për kandidaten për kryeparlamentare Albulena Haxhiu është antikushtetuese. Madje për këtë çështje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka hedhur si kandidate për kryeparlamentare Albulena Haxhiun, por ajo nuk ka marrë votat e shumicës.
Figura e saj shihet si përçarëse nga dy parti, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate ka konfirmuar se më 27 Maj është takuar me Glauk Konjufcën e Lëvizjes Vetëvendosje. I pyetur nga gazetarët, ai është shprehur se partia e tij vlerëson se kontributin mund ta japë në parlament.
Megjithatë deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje mes palëve me qëllim kalimin e këtij ngërçi politik në Kosovë.