Omicidio foggia 4

Gjykata e Assizse-s në Foggia ka dënuar me burgim të përjetshëm dhe izolim ditor për 1 vit e 6 muaj Taulant Malajn. 47-vjeçari shqiptar u shpallur fajtor për ngjarjen tragjike të ndodhur më 7 maj 2023 në Torremaggiore.

Ai vrau me thikë vajzën e tij, Jessica, vetëm 16 vjeçe, e cila ndërhyri për të mbrojtur nënën. Po ashtu i mori jetën fqinjit 51-vjeçar Massimo De Santis. Për këtë të fundit dyshonte se kishte një lidhje me bashkëshorten e tij.

Ngjarja është e cilësuar si një nga më të rëndat në provincën e Foggia-s në vitet e fundit dhe tronditi opinionin publik në Itali e Shqipëri.

Bashkëshortja e Malajt, Tefta Lelaj, e cila i mbijetoi sulmit pavarësisht plagëve të shumta me thikë, ishte e pranishme në sallën e gjyqit në momentin e shpalljes së vendimit dhe shpërtheu në lot.

Në vendimin e saj, Gjykata pranoi në tërësi kërkesat e prokurorisë dhe të palës civile. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, Malaj u dënua edhe me 3 vite masë sigurie nën mbikëqyrje të lirë.

“Sot kemi një vendim shembullor që i rikthen dinjitetin dhe besimin në drejtësi klientes sime, e cila i përballoi të gjitha seancat me një dinjitet të jashtëzakonshëm”, deklaroi avokati i Lelajt, Roberto De Rossi.

Një nga provat kyçe në procesin gjyqësor ishin videot e xhiruara nga vetë Malaj pas krimit. Duke folur shqip, ai merrte përgjegjësinë për aktin makabër dhe e justifikonte ngjarjen si veprim ndëshkues ndaj tyre.

“Shikoni, unë i vrava, e bëra vetëm”, shprehej ai.

Videoja 15-minutëshe u cilësua si provë rrëqethëse nga hetuesit.

Sipas hetimit, Malaj sulmoi fillimisht Massimo De Santis, i cili banonte në të njëjtën godinë, duke e goditur për vdekje me thikë në hollin e pallatit.

Më pas shkoi në banesë dhe goditi brutalisht bashkëshorten, e cila mbeti e plagosur rëndë. Në përpjekje për ta mbrojtur nënën, vajza e tij Jessica ndërhyri, por u godit disa herë me thikë dhe humbi jetën në spital.

E gjithë ngjarja u zhvillua në praninë e djalit të vogël 5-vjeçar të çiftit, i cili i mbijetoi masakrës.

Procesi gjyqësor nisi më 22 mars 2024 dhe përfshiu dëshmitë e 31 personave, përfshirë vetë Tefta Lelajn, e cila ndërkohë ka ndryshuar mbiemrin.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights